Ukraina raporton për dy të vrarë nga një raketë ruse në Kharkiv
Guvernatori rajonal i Kharkivit, Oleh Synehubov, raportoi se dy persona u vranë të shtunën në një fshat të vogël ukrainas nga një sulm rus me raketë.
Ky zyrtar fillimisht tha përmes një rrjeti social se katër persona ishin vrarë, kur një raketë ruse kundërtanke goditi një veturë që po lëvizte drejt fshatit Huriyv Kozachok, i cili ndodhet afër kufirit me Rusinë, raporton agjencia “Reuters”.
Më vonë, ai ofroi përditësim të të dhënave, duke thënë se dy vullnetarë – një burrë 42 vjeç dhe një grua 53 vjeçe – janë vrarë nga ky sulm.
Ukraina çliroi shumë qyteza e fshatra në rajonin e Kharkivit vjeshtën e kaluar, por ushtria ruse prej asaj kohe shpesh e ka sulmuar zonën, duke shkatërruar infrastrukturë kritike dhe duke lënduar e vrarë banorë.
Në kryeqytetin Kiev, ushtria ukrainase tha se pengoi 12 raketa ruse gjatë 24 orëve të kaluara.
Kur forcat ukrainase po e zhvillojnë kundërsulmin e shumëpritur, Rusia ka vazhduar që të godasë pjesë të ndryshme të vendit.
Të premten, dy persona vdiqën dhe 25 të tjerë u lënduan nga zjarri i artilerisë në qytetin jugor ukrainas, Kherson.
