Ukraina: Pavendosmëria e Perëndimit po vret ukrainasit - NACIONALE

Ukraina: Pavendosmëria e Perëndimit po vret ukrainasit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky ka thënë se "pavendosmëria" e Perëndimit për dërgimin e armëve shtesë në Ukrainë "po vret më shumë nga njerëzit tanë".

Duke shkruar në Twitter, Mykhailo Podolyak, është shprehur se, “çdo ditë vonesë është vdekja e ukrainasve”.

Komentet e tij, vijnë pas njoftimit nga ministri i Mbrojtjes i Ukainës, se kishte pasur një “diskutim të sinqertë” me homologun e tij gjerman në lidhje me tanket gjermane Leopard 2 – të kërkuara nga Kievi urgjentisht për t’u përballur me armaturën ruse.

Takimi mes tyre i zhvilluar në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, ka sjellë një marrëveshje për furnizimin e më shumë automjeteve të blinduara, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe municioneve. Megjithatë, ministri gjerman i Mbrojtjes, ka thënë se “mendimet mbeten të ndara për furnizimin me tanke Leopard”.

Tanket Leopard 2 shihen si një ndryshim i mundshëm i lojës për Ukrainën, pasi janë të lehta për t’u mirëmbajtur dhe të projektuara posaçërisht për të konkurruar me tanket ruse T-90, të cilat janë duke u përdorur në pushtimin e Ukrainës.

E edhe pse Gjermania ka thënë se nuk do të bllokojë vendet e tjera që posedojnë këto tanke për t’i dërguar Ukrainës, sipas ligjeve gjermane të eksportit, vendet që duan të furnizojnë ato- si Polonia dhe Finlanda - nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë derisa Berlini të dalë me një qëndrim të qartë.

Është e ditur se më shumë se 2,000 leopardë ndodhen në magazina në të gjithë Evropën, e presidenti Zelensky beson se rreth 300 prej tyre mund të ndihmojnë për të mposhtur Rusinë.

Lajme të ngjashme