Gjermania reziston, s’pajtohet për t’i dhënë tanke Ukrainës - NACIONALE

Gjermania reziston, s’pajtohet për t’i dhënë tanke Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ukraina do të detyrohet që të presë më gjatë për të marrë vesh nëse do të furnizohet me tanke të avancuara gjermane të tipit “Leopard 2”. Mosmarrëveshja për këtë çështje mes vendeve perëndimore doli në pah publikisht e privatisht të premten, pasi ministrat e më shumë se 50 shteteve dështuan që të arrinin një marrëveshje. Problemi kyç është ngurrimi i Gjermanisë.

Dështimi për të arritur marrëveshje për atë që është bërë kërkesë urgjente e Ukrainës i la nën hije premtimet e disa shteteve – përfshirë ShBA-në – për t’i dhënë këtij vendi armë e pajisje me vlerë të miliarda dollarëve, raporton agjencia “Associated Press”.

Përderisa udhëheqësit e ShBA-së e të NATO-s mohuan se ka ndonjë mosmarrëveshje në rangje dhe e çmuan Gjermaninë për kontributin e gjerë me armë e trajnime për Ukrainën, një grup më i vogël i udhëheqësve u takuan në mënyrë private me gjermanët në përpjekje për të gjetur pika të pajtimit. Megjithatë, ata nuk arritën konsensus për dërgimin e tankeve gjermane të tipit “Leopard” në Ukrainë.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, tha të premten se 15 shtete që kanë tanke “Leopard”, e diskutuan çështjen, por asnjë vendim nuk u mor. Ai e quajti takimin “diskutim të mirë mes aleatëve” dhe tha se çështja do të diskutohet përsëri në bisedimet e ardhshme.

Për furnizimin e Ukrainës me tanke të prodhimit gjerman, duhet të pajtohet edhe Gjermania. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Pavarësisht nga thirrjet e zyrtarëve ukrainas, Gjermania deri më tani i ka rezistuar presionit ën rritje për ta lejuar dërgimin e tankeve të tipit “Leopard 2” në Ukrainë, qoftë edhe nga shtetet e tjera.

Kur u pyet të premten, pas përmbylljes së takimit, nëse Gjermania është duke bërë mjaftueshëm, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, tha: “Po, por ne të gjithë mund të bëjmë më shumë. Ata janë aleat i besueshëm dhe kanë qenë ashtu për një kohë shumë, shumë të gjatë dhe unë vërtet besoj se ata do të vazhdojnë që të jenë një aleat i besueshëm në të ardhmen.”

Zyrtari i lartë amerikan u mundua që ta minimizonte rëndësinë e menjëhershme të tankeve, duke theksuar se automjetet luftarake amerikane të tipit “Stryker” dhe automjetet e blinduara të tipit “Bradley”, që po dërgohen në Ukrainë, do t’i dhurojnë Ukrainës aftësi të reja në luftë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përsëri bëri thirrje për më shumë ndihma ushtarake. Duke folur përmes video-lidhjes, ai tha se “terrori nuk lejon diskutime” dhe se “lufta e nisur nga Rusia nuk lejon vonesa”.

Gjermania pranoi se nuk ka pasur zgjidhje, por, duke folur para gazetarëve, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha: “Ne do t’i marrim vendimet tona sa më shpejt që është e mundshme.”

Ai tha se e ka urdhëruar ministrinë që t’i shikojë rezervat e tankeve në mënyrë që të jetë i përgatitur për dritë të gjelbër të mundshme dhe që të “veprojë menjëherë”.

Lajme të ngjashme