Polonia “e shokuar” nga ngurrimi i Gjermanisë për ta furnizuar me tanke Ukrainën - NACIONALE

Polonia “e shokuar” nga ngurrimi i Gjermanisë për ta furnizuar me tanke Ukrainën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria polake është “e shokuar” nga ngurrimi i qartë i Gjermanisë për ta lejuar dërgimin e tankeve “Leopard” në Ukrainë, tha Lukasz Jasina, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë.

“Ndihma ndaj Ukrainës është çështja më e rëndësishme për të gjithë ne, sidomos për polakët, për kombin tonë dhe për qeverinë tonë”- tha Jasina për televizionin BBC.

“Ne jemi shumë të shokuar për shkak të kundërshtimit të Gjermanisë, që po parandalon gjithçka tjetër që të ndodhë”- shtoi ai.

Zyrtari polak tha se pret komunikim të mirë në takimin e shefave të mbrojtjes të premten në Gjermani, ku janë mbledhur ministrat e rreth 50 shteteve dhe se, sipas tij, dërgimi i tankeve në Ukrainë do të ndodhë.

“Unë shpresoj që miqtë tanë gjermanë dhe aleatët do ta ndryshojnë atë pozicion në fund”- tha Jasina.

Ditëve të fundit, zyrtarët gjermanë kanë dhënë shenjë se nuk do t’i dërgojnë Ukrainës tanke “Leopard” ose nuk do të lejojnë asnjë shtet tjetër që ka tanke gjermane që t’i dërgojë ato në vendin e përfshirë nga lufta, nëse Shtetet e Bashkuara nuk pajtohen për të dërguar tanke “M1 Abrams” në Kiev – diçka për të cilën Pentagoni me muaj ka thënë se nuk e synon, duke e marrë parasysh koston logjistike për mirëmbajtjen e tyre.

Mosmarrëveshja për tanket po ndodh në kohën e një debati shumë më madh mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre evropianë për të dërguar ose jo armatim gjithnjë më të sofistikuar në Ukrainë, përfshirë raketat me rreze më të gjatë veprimi, që do t’i mundësonin Ukrainës që të godasë caqe që ndodhen më shumë se 300 kilometra larg.

Lajme të ngjashme