Sot mblidhen aleatët perëndimorë, Zelensky i kërkon tanke Gjermanisë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Gjermanisë që t’i japë tanke vendit të tij para bisedimeve të aleatëve perëndimorë në bazën ajrore “Ramstein” në jug të shtetit me ekonominë më të madhe në Evropë.
Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane tashmë i kanë premtuar Kievit më shumë pajisje ushtarake për ta luftuar pushtimin rus. Berlini është nën presion në rritje për ta lejuar dërgimin e tankeve të tipit “Leopard 2”.
“Nëse keni [tanke] Leopard, atëherë na i jepni. Ato nuk do të hyjnë në Rusi. Ne po e mbrojmë veten”- tha presidenti ukrainas në televizionin publik gjerman, duke e kritikuar qëndrimin ngurrues të qeverisë në Berlin.
Zyrtarë të mbrojtjes nga më shumë se 50 shtete pritet të takohen në Ramstein, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete evropiane u zotuan për dhurimin e më shumë pajisjeve për ta ndihmuar Ukrainën që të zmbrapsë ndonjë ofensivë të re ruse.
Gati 11 muaj pas fillimit të luftës, zyrtarët ushtarakë të NATO-s besojnë se Moska është duke planifikuar një ofensivë të re në pranverë, pasi numrin e ushtarëve e ka rritur nga mobilizimi i pjesshëm, i nisur nga shtatori.
Si vend i prodhimit, Gjermania duhet të japë leje që shtetet si Polonia ose Finlanda të premtojnë se do t’ia dhurojnë Ukrainës tanket e tyre “Leopard”. Megjithatë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Pawel Jablonski, paralajmëroi të premten se Varshava mund të ndërmarrë “veprim jostandard”, nëse ka rezistencë të fuqishme nga Berlini.
Këshilltari i Ministrisë së Mbrojtjes në Ukrainë, Yuriy Sak, tah para samitit të vendeve perëndimore se aleatët e Ukrainës ballafaqohen me një “zgjedhje të thjeshtë” të premten. “Tanket për Ukrainën janë tanke për lirinë”- tha ai. Sipas zyrtarit ukrainas, nëse këto tanke nuk i jepen vendit të tij, shtetet evropiane mund të detyrohen që një ditë t’i përdorin vetë ato kundër Rusisë.
Berlini tha këtë javë se vendimi për furnizimin e Ukrainës me tanke “Leopard” varet nga vendimi i ShBA-së për t’i dhënë ose jo tanke “Abrams” vendit të përfshirë nga lufta. Nuk pritet që ShBA-ja t’ia japë Ukrainës këto tanke.
Presidenti ukrainas vazhdimisht e ka kritikuar qëndrimin ngurrues të Gjermanisë për të dhënë armë të rënda. Ai bëri thirrje që në takimin e së premtes të merren “vendime të fuqishme”.