Ukraina ka pajisur disa dronë ujorë me raketahedhës të shumëfishtë "Grad", thonë burimet - NACIONALE

Ukraina ka pajisur disa dronë ujorë me raketahedhës të shumëfishtë "Grad", thonë burimet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina ka pajisur disa prej dronëve të saj ujorë me raketahedhës të shumëfishtë dhe i ka përdorur ato për të hapur zjarr në drejtim të pozicioneve ruse gjatë luftimeve, i tha të mërkurën agjencisë “Reuters” një burim i inteligjencës ukrainase.

Ukraina, që nuk ka ndonjë luftanije të dalluar në flotën e vet, ka përdorur dronë ujorë të ngarkuar me lëndë shpërthyese për t’iu afruar luftanijeve ruse në Detin e Zi, duke shpërthyer me rastin e kontaktit me to, raporton agjencia “Reuters”.

Këta dronë kanë luajtur rol në përpjekjen e Kievit për t’i sprapsur anijet ruse nga zonat e Detit të Zi që përdoren nga anijet tregtare për transportimin e eksporteve ukrainase.

Burimi ukrainas, që refuzoi të identifikohej, tha se “Foshnjat e Detit”, një model i dronit ujor që përdoret nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU), janë pajisur me raketahedhës të shumëfishtë “Grad”.

“Sot, ne mund të konfirmojmë se ata [dronët] janë pajisur me sistemin raketahedhës të shumëfishtë dhe kjo zgjidhje teknologjike tashmë është duke shfaqur rezultate të fuqishme” – tha burimi.

Më tej, ky burim tha se dronët e modifikuar ishin përdorur për të sulmuar këtë javë pozicione ruse në gadishullin e vogël të Kinburn-it, në rajonin jugor ukrainas, Mykolaiv.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që ta vërtetojë në mënyrë të pavarur përdorimin e armëve të modifikuara.

Forcat ruse e kishin pushtuar atë pjesë territori në vitin e parë të luftës që ka nisur në shkurt të vitit 2022.

Lajme të ngjashme