Ukraina e shtetet evropiane e sfidojnë ShBA-në me kundërpropozim për pakt me Rusinë - NACIONALE

Ukraina e shtetet evropiane e sfidojnë ShBA-në me kundërpropozim për pakt me Rusinë

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Agjencia e lajmeve “Reuters” e ka parë tekstin e një vargu propozimesh se si t’i jepet fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilat iu dhanë të mërkurën palës amerikane nga zyrtarë ukrainas e evropianë gjatë bisedimeve në Londër.

Kjo agjenci e publikoi tekstin e plotë, pa ndryshime, ndërsa gazeta Nacionale jua sjell të përkthyer më poshtë:

ZYRTAR – I NDJESHËM

Kornizë e Marrëveshjes Rusi – Ukrainë

Armëpushimi:

-Zotim për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar në qiell, në tokë dhe në det.

-Të dyja palët hyjnë menjëherë në bisedime rreth zbatimit teknik me pjesëmarrjen e ShBA-së dhe vendeve evropiane. Kjo është paralelisht me përgatitjen e agjendës dhe modaliteteve për një marrëveshje të plotë të paqes.

-Vëzhgim i armëpushimit, i udhëhequr nga ShBA-ja dhe i përkrahur nga vendet e treta.

-Rusia duhet t’i kthejë në mënyrë të pakushtëzuar të gjithë fëmijët ukrainas të dëbuar dhe të zhvendosur ilegalisht.

-Shkëmbimi i të gjithë të burgosurve të luftës (parimi “të gjithë për të gjithë”). Rusia duhet t’i lirojë të gjithë të burgosurit civilë.

Garancitë e sigurisë për Ukrainën:

-Ukraina pranon garanci të forta sigurie përfshirë nga ShBA-ja (marrëveshje të ngjashme me Nenin 5), përderisa nuk ka konsensus në mesin e aleatëve rreth anëtarësimit në NATO.

-Asnjë kufizim ndaj Forcave Mbrojtëse të Ukrainës

-Shtetet garantuese do të jenë një grup ad hoc i shteteve evropiane dhe i shteteve joevropiane që janë të gatshme. Asnjë kufizim ndaj pranisë, armëve apo operacioneve të forcave të huaja miqësore në territorin e Ukrainës

-Ukraina e ndjek anëtarësimin në BE.

Territori:

-Çështjet territoriale do të diskutohen dhe do të zgjidhen pas një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar.

-Bisedimet territoriale fillojnë nga baza e vijës së kontrollit.

-Ukraina e rimerr territorin e Centralit të Energjisë Bërthamore në Zaporizhia me përfshirjen e ShBA-së si dhe gjithashtu atë të Digës Kakhovka.

-Ukraina gëzon kalime të papenguara mbi Lumin Dnieper dhe kontrollin e zonës së rërët Kinburn.

Ekonomia:

-ShBA-ja dhe Ukraina zbatojnë bashkëpunim ekonomik / marrëveshjen e mineraleve.

-Ukraina do të rindërtohet plotësisht dhe do të dëmshpërblehet financiarisht, përfshirë përmes aseteve sovrane ruse që do të mbeten të ngrira derisa Rusia t’ia kompensojë dëmin Ukrainës.

-Sanksionet e ShBA-së që i janë vendosur Rusisë nga viti 2014 mund të jenë subjekt i lehtësimit gradual pasi të arrihet paqe e qëndrueshme dhe subjekt i rinisjes në rast të një shkeljeje të marrëveshjes së paqes (kthim në gjendjen e mëparshme).

Lajme të ngjashme