Ukraina e Rusia e fillojnë shkëmbimin e të burgosurve sipas paktit të Stambollit - NACIONALE

Ukraina e Rusia e fillojnë shkëmbimin e të burgosurve sipas paktit të Stambollit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Ukraina dhe Rusia të premten filluan një shkëmbim domethënës të të burgosurve, për të cilin u arrit pajtueshmëri në bisedimet e para të drejtpërdrejta mes palëve në më shumë se tre vjet, tha të premten një burim ushtarak ukrainas.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se shkëmbimi i të burgosurve tashmë ishte kompletuar, por Kievi dhe Moska nuk e konfirmuan këtë dhe burimi ushtarak tha se shkëmbimi ende ishte duke vazhduar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjatë bisedimeve dyorëshe të javës së kaluar në Stamboll, Rusia dhe Ukraina u pajtuan për të shkëmbyer 1 mijë të burgosur, por dështuan që të pajtoheshin për një armëpushim të propozuar nga Trumpi. Në shkëmbimet e të burgosurve mes këtyre dy vendeve në të kaluarën kanë ndërmjetësuar Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shkëmbimi i të burgosurve ishte hapi i vetëm konkret drejt paqes për të cilin u pajtuan palët gjatë bisedimeve në Turqi.

Qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët besohet se janë plagosur ose vrarë në luftën më vdekjeprurëse të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, edhe pse asnjëri shtet nuk publikon shifra të sakta të viktimave.

Ukraina thotë se është e gatshme për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor, por Rusia, e cila e nisi luftën në vitin 2022 dhe tani ka nën kontroll rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, thotë se nuk do t’i ndalë sulmet derisa të plotësohen kushtet e saj.

Presidenti amerikan, i cili e ka ndryshuar politikën e vendit të tij në lidhje me konfliktin, ka thënë se mund t’ia ashpërsojë sanksionet Rusisë, nëse Moska e bllokon marrëveshjen e paqes. Megjithatë, pasi bisedoi të hënën me homologun rus, Vladimir Putin, ai vendosi që të mos ndërmerrte ndonjë masë tani për tani./Nacionale

Lajme të ngjashme