Ukraina e “godet” Rusinë në seancën e GjND-së, e quan shtet terrorist
Ukraina të martën e quajti Rusinë shtet terrorist në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku filluan seancat për rastin e përkrahjes që dyshohet se Moska ua kishte ofruar separatistëve pro-rusë të fajësuar për rrëzimin e një aeroplani të kompanisë “Malaysian Airlines” më 2014.
Kjo qe hera e parë që avokatët e Ukrainës dhe të Rusisë u takuan në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e njohur edhe si Gjykata e Botës, që nga fillimi pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Të dyja vendet dërguan ekipe ligjore me dhjetëra përfaqësues, raporton agjencia “Reuters”.
Një panel prej 16 gjykatësish në GjND e filluan seancën për pretendimin e Ukrainës se Moska ka shkelur një traktat të OKB-së kundër terrorizmit përmes pajimit dhe financimit të forcave pro-ruse për të cilat hetuesit ndërkombëtarë kanë konkluduar se e kishin rrëzuar aeroplanin në lindje të Ukrainës, duke e shkaktuar vdekjen e 298 pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit.
Në pretendimin e njëjtë, Ukraina ka kërkuar nga gjykata me seli në Hagë që ta urdhërojë Rusinë për ta ndërprerë diskriminimin e pretenduar kundër grupit etnik të tatarëve në Krimenë e ankesuar nga Rusia më 2014.
Në fjalën hyrëse, ambasadori i posaçëm ukrainas, Anton Korynevych, foli për dëmtimin e digës së hidrocentralit në Nova Kakhovka në rajonin e Khersonit, ku uji ka filluar të rrjedhë dhe të shkaktojë vërshime para disa orëve.
Ukraina e ka fajësuar Rusinë për bombardimin e digës. Disa zyrtarë të emëruar nga rusët kanë thënë se diga është shkatërruar nga sulmi ukrainas, ndërsa disa të tjerë thonë se diga ka shpërthyer vetë.
“Rusia nuk mund të na mposhtë në fushën e betejës, prandaj e vë në shënjestër infrastrukturën civile në përpjekje për të na ngrirë deri në dorëzim. Sot, Rusia goditi një digë të madhe... duke shkaktuar evakuime të konsiderueshme të civilëve, dëme ekologjike dhe duke e rrezikuar sigurinë e centralit bërthamor në Zaporizhia”- tha ambasadori ukrainas.
Ai shtoi: “Veprimet e Rusisë janë veprime të një shteti terrorist”.
Dy rusë dhe një separatist ukrainas janë dënuar për vrasje nga një gjykatë holandeze për rastin e rrëzimit të aeroplanit më 17 korrik të vitit 2014 mbi territorin e kontrolluar nga separatistët në Ukrainë.
