Ukraina e cilëson absurd dhe të papranueshëm planin e ri të ShBA-së e Rusisë për paqe - NACIONALE

Ukraina e cilëson absurd dhe të papranueshëm planin e ri të ShBA-së e Rusisë për paqe

9 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Një propozim i ri amerikano-rus për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është cilësuar si “absurd” dhe i papranueshëm nga zyrtarët në Kiev në kohën e bisedimeve mes presidentit Volodymyr Zelensky dhe një delegacioni të lartë ushtarak amerikan.

Zyrtarët ukrainas thanë se propozimi, i cili thuhet se është hartuar nga aleati i ngushtë i presidentit Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, dhe emisari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, është “provokim” që e ka për qëllim nxitjen e përçarjes dhe t’i çorientojë aleatët e Ukrainës, raporton gazeta “The Guardian”.

“Tani për tani nuk ka shenja se Kremlini është i gatshëm për bisedime serioze. Putini po mundohet që të shkaktojë ngecje për kohën e tanishme dhe t’i shmangë sanksionet e ShBA-së” – tha Oleksandr Merezhko, shef i komisionit parlamentar ukrainas për politikë të jashtme. Ai tha se Dmitrievi është “askushi”.

Zëvendësministri i parë i Jashtëm i Ukrainës, Sergiy Kyslytsya, e quajti joreale këtë nismë. Sipas tij, plani është operacion klasik informacioni i stilit sovjetik për të ndikuar tek opinioni dhe për të mbjellë panik.

Sipas raportimeve të mediave, propozimi me 28 pika ngjan shumë me kërkesat e paraqitura nga Rusia pak pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022. Thuhet se plani është hartuar nga zyrtarë rusë e amerikanë, me mbështetjen e Trumpi. Kievi nuk ishte konsultuar. Një diplomat evropian tha se ata morën vesh për planin vetëm kur i dëgjuan lajmet.

Propozimi parasheh që Ukraina t’ia dorëzojë Rusisë pjesën veriore të rajonit të Donbasit, të cilën e ka nën kontroll, dhe ta përgjysmojë ushtrinë. Ukraina gjithashtu do të detyrohej që t’i dorëzonte armët me rreze të gjatë që i përdor për të sulmuar caqe ushtarake brenda Rusisë.

As trupat e huaja nuk do të lejoheshin në territorin e Ukrainës, kushte që përjashton një forcë paqeruajtëse të udhëhequr nga Britania e Franca e që do të themelohej pas arritjes së paqes. Sidoqoftë, sipas mediumit amerikan “Axios”, Shtetet e Bashkuara do të ofronin garanci të sigurisë, të cilat nuk janë saktësuar.

Gjuhës ruse dhe Kishës Ortodokse Ruse do t’u jepeshin statuset formale, sipas kërkesave të vazhdueshme të Kremlinit.

Zyrtarët ukrainas thanë se propozimi paraqet kapitullim të Ukrainës dhe përfundim praktik të sovranitetit të saj./Nacionale

Lajme të ngjashme