Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë të burgosur të rinj e të plagosur - NACIONALE

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë të burgosur të rinj e të plagosur

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ukraina dhe Rusia të hënën kryen një shkëmbim të të burgosurve të luftës ku u përfshinë të burgosurit nën moshën 25-vjeçare dhe të tjerë që ishin plagosur rëndë, fillimi i atij që mund të bëhet shkëmbimi më i madh deri më tani në luftë.

Shkëmbimi i këtyre të burgosurve, i njoftuar nga të dyja palët, ishte rezultat i bisedimeve të drejtpërdrejta të Stambollit më 2 qershor, të cilat rezultuan në një marrëveshje për ta bërë shkëmbimin e të paktën 1.200 të të burgosurve të luftës nga të dyja palët dhe për të riatdhesuar mijëra trupa të të vrarëve në luftë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kthimi i të burgosurve të luftës dhe riatdhesimi i trupave të të vdekurve është njëra nga gjërat e pakta për të cilat të dyja palët kanë arritur që të pajtohen mes vete, edhe pse bisedimet e tyre më të gjera kanë dështuar që ta afrojnë përfundimin e luftës, e cila tashmë është në vitin e katërt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij e kishte pranuar grupin e parë të të burgosurve nga Rusia dhe se do të ndërmarrë disa hapa ditëve në vijim kompletimin e shkëmbimit.

“Shkëmbimi i sotëm ka filluar. Do të bëhet në disa faza ditëve të ardhshme. Procesi është goxha kompleks, me shumë hollësi të ndjeshme, dhe bisedimet vazhdojnë gati përditë. Ne llogarisim në zbatimin e plotë të marrëveshjeve humanitare të arritura gjatë takimit në Stamboll. Ne po bëjmë gjithçka që është e mundshme për të kthyer çdo person” – tha Zelensky.

Asnjëra palë nuk tregoi se sa të burgosur u shkëmbyen të hënën, por Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në deklaratën e saj se numri i njëjtë i personelit ushtarak është shkëmbyer nga të dyja palët.

Ndihmësi i Kremlinit, Vladimir Medinsky, tha në fundjavë se një listë fillestare prej 640 të burgosurve të luftës i ishin dorëzuar Ukrainës.

Ushtria ruse tha se ushtarët e kthyer të saj tani ndodhen në Bjellorusi, aleate e ngushtë e Rusisë, ku po pranonin asistencë psikologjike dhe mjekësore para se të dërgoheshin në Rusi për kujdes të mëtejmë./Nacionale

Lajme të ngjashme