Ukraina dërgon forca speciale në Pokrovsk, ku kanë depërtuar rusët - NACIONALE

Ukraina dërgon forca speciale në Pokrovsk, ku kanë depërtuar rusët

1 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Ukraina më herët këtë javë dërgoi forca special për të luftuar në zonat e vështira të qytetit Pokrovsk, kur Rusia tha se i kishte rrethuar forcat ukrainase në atë pjesë, thanë të premten dy burime ushtarake ukrainase.

Forcat speciale ukrainase u lëshuan me një helikopter të tipit “Black Hawk” para pak ditësh për ta nisur operacionin, i cili u ndërlikua nga aktiviteti i dronëve rusë, tha një burim në Trupën e 7-të të Reagimit të Shpejtë, raporton agjencia "Reuters".

Operacioni u mbikëqyr nga shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, dhe pjesëtarët e forcave speciale u nisën drejt zonave të qytetit për të cilat Rusia pretendon se i ka kapur dhe që i sheh si jetike për linjat ukrainase të furnizimit, tha burimi tjetër.

Të paktën dhjetë pjesëtarë të forcave ukrainase mund të shiheshin duke zbritur nga një helikopter në një fushë në videon që e ka parë agjencia “Reuters”, e cila nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur vendin ose datën e incizimit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth operacionit ukrainas, transmeton gazeta "Nacionale".

Të paktën 200 trupa ruse kanë depërtuar në vijat e mbrojtjes të Pokrovskut dhe ia kanë dalë që të futen në qytet, sipas ushtrisë ukrainase.

Ushtria e Ukrainës pranoi të enjten se situata ishte “e vështirë”, duke thënë se linjat e furnizimit dhe të mbrojtjes në atë pjesë duhet të forcohen.

Projekti ukrainas me harta me burim të hapur, “DeepState”, vlerëson se të paktën gjysma e qytetit është zonë e kontestuar që nuk kontrollohet plotësisht nga asnjëra palë.

Presidenti Volodymyr Zelensky e përmendi drejtpërdrejt betejën e Pokrovskut në adresimin tradicional të mbrëmjes para popullit.

“Ne vazhdojmë që ta shkatërrojmë pushtuesin. Gjëja më e rëndësishme është që të ndalen sulmet ruse kudo që është e mundshme” – tha ai.

Lajme të ngjashme