Udhëheqësit botërorë, të tmerruar nga sulmi ndaj Shinzo Abe-s - NACIONALE

Udhëheqësit botërorë, të tmerruar nga sulmi ndaj Shinzo Abe-s

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit botërorë janë shprehur të tmerruar nga sulmi me armë ndaj ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, gjatë fjalimit në fushatë zgjedhore, duke u lutur për shërimin e tij.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Anthony Blinken, tha se vendi i tij është “thellësisht i pikëlluar dhe thellësisht i shqetësuar” për sulmin ndaj ish-kryeministrit japonez.

“Nuk e dimë gjendjen e tij. Dimë se ai qartazi është qëlluar. Mendimet dhe lutjet tona janë për të, familjen e tij, popullin e Japonisë. Ky është një moment shumë, shumë pikëllues”, tha kryediplomati amerikan.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se sulmi ndaj Abe-s është shkatërrues. Ai e përshkroi ish-kryeministrin japonez si “burrë dhe udhëheqës vërtet i mrekullueshëm” dhe tha se Abe është mik i tij dhe i Amerikës.

Për këtë sulm reagoi edhe kryeministri i Australisë, Anthony Albanese. “Lajm tmerrues nga Japonia se ish-kryeministri, Shinzo Abe, është qëlluar. Mendimet tona janë me familjen e tij dhe popullin e Japonisë në këtë kohë”, shkroi ai në Twitter.

Kryeministri i Indisë, gjithashtu, u shpreh i pikëlluar për ish-homologun e tij. “Thellësisht i pikëlluar nga sulmi ndaj mikun tim të dashur, Shinzo Abe. Mendimet dhe lutjet tona janë për të, familjen e tij dhe popullin e Japonisë”, shkroi ai në rrjete sociale.

Edhe udhëheqës të tjerë botërorë e dënuan sulmin ndaj Abe-s, që ishte kryeministri me mandatin më të gjatë në Japoni. Ai u largua nga posti i lartë më 2020 për shkak të gjendjes së dobët shëndetësore./Nacionale

Lajme të ngjashme