Udhëheqësi i të krishterëve në Siri e qorton presidentin Sharaa për shpërthimin në kishë
Udhëheqësi më i lartë i të krishterëve në Siri tha të martën në funeralin për viktimat e një shpërthimi vdekjeprurës në një kishë se qeveria e presidentit Ahmed al-Sharaa mban përgjegjësi për mosmbrojtje të pakicave dhe se ngushëllimet e shprehura nga ai nuk mjaftojnë.
Të paktën 25 besimtarë vdiqën të dielën, kur një sulmues vetëvrasës e hodhi veten në erë në kishën “Mar Elias” në Damask, sulmi i parë i tillë që nga ardhja në pushtet e Sharaa-s në dhjetor, pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sulmi, për të cilin autoritetet siriane e fajësuan ISIS-in, i forcoi dyshimet në mesin e pakicave për atë nëse ato mund të mbështeten te garancitë e qeverisë për mbrojtje.
“Me dashuri dhe me tërë respektin, z. president, ju folët dje përmes telefonit… për t’i shprehur ngushëllimet tuaja. Kjo nuk është e mjaftueshme për ne” – tha në funeral patriarku i Kishës Ortodokse Greke të Antioch-it, John Yazigi, duke marrë duartrokitje.
“Ne jemi mirënjohës për telefonatën, por krimi që ndodhi është pak më i madh se kaq” – shtoi ai.
Sipas Yazigi-t, qeveria siriane duhet ta bëjë prioritet mbrojtjen për të gjithë. “Ajo që është e rëndësishme për mua – dhe unë do ta them këtë – është që qeveria ta bartë përgjegjësinë në mënyrë të plotë” – tha ai për sulmin në kishë.
Ministrja e Punëve Sociale, Hind Kabawat – e krishtera dhe gruaja e vetme në qeverinë e re siriane – mori pjesë në funeralin për nëntë prej viktimave të shpërthimit në kishë.
Të hënën, Sharaa tha se sulmi ishte një krim që i lëndon të gjithë sirianët, por nuk i përdori fjalët “të krishterë” ose “kishë”.
Qeveria tha se forcat e sigurisë kanë bastisur vende të fshehta që po përdoreshin nga ISIS-i, duke vrarë dy pjesëtarë të grupit, përfshirë një që e kishte lehtësuar hyrjen e sulmuesit në kishë.
ISIS-i nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë për ta marrë përgjegjësinë për sulmin./Nacionale