Twitter-i kërcënon me masa ligjore kundër rivalit Threads
Rrjeti i njohur social, Twitter, është duke e shqyrtuar ndërmarrjen e veprimeve ligjore kundër rivalit të kompanisë “Meta”, Threads, i cili po rritet shpejt në ditët e para të lansimit.
Aplikacioni Threads është i ngjashëm me rivalin Twitter dhe është përshkruar nga shefat e kompanisë “Meta” si alternativë miqësore, raporton televizioni BBC.
Shefi i Twitter-it, Elon Musk, tha se “konkurrenca është në rregull, mashtrimi jo”. Megjithatë, kompania “Meta” i ka mohuar pretendimet në një letër ligjore se ish-stafi i Twitter-it e ka ndihmuar themelimin e aplikacionit Threads.
Sipas kompanisë “Meta”, më shumë se 30 milionë njerëz janë regjistruar në platformën e re.
Avokati i Twitter-it, Alex Spiro, i dërgoi të mërkurën një letër shefit ekzekutiv të kompanisë “Meta”, Mark Zuckerberg, duke e akuzuar këtë kompani për “shpërdorim sistematik, të vullnetshëm dhe të paligjshëm të sekreteve tregtare dhe pronave të tjera intelektuale të Twitter-it” për ta formuar aplikacionin Threads.
“Twitter-i synon që prerazi t’i zbatojë të drejtat e veta për pronë intelektuale dhe kërkon që Meta të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për ta ndërprerë përdorimin e cilitdo sekret tregtar të Twitter-it ose të dhënave të tjera shumë konfidenciale të tij”- thuhet në letër.
“Twitter-i i rezervon të gjitha të drejtat, përfshirë, por jo kufizuar në, të drejtën për të kërkuar kompensime civile dhe ndihmë urdhërore pa njoftim të mëtejmë”- thuhet më tutje në letër.
Zëdhënësi i kompanisë “Meta”, Andy Stone, tha se “askush në ekipin e inxhinierëve në Threads nuk është ish-punëtor i Twitter-it”.