Zuckerbergu e lanson rivalin “miqësor” të Twitter-it, quhet Threads - NACIONALE

Zuckerbergu e lanson rivalin “miqësor” të Twitter-it, quhet Threads

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Shefi i kompanisë “Meta”, Mark Zuckerberg, ka pretenduar se dhjetë milionë përdorues janë regjistruar në platformën e re sociale, “Threads”, e cila pritet të jetë konkurrente e drejtpërdrejtë e rrjetit “Twitter” të miliarderit Elon Musk.

Aplikacioni i ri u ofron përdoruesve mundësi që të publikojnë shkrime të gjata me deri në 500 shkronja dhe shenja dhe përfshin vegëza, fotografi dhe video. Njësoj si në “Twitter”, postimet mund të pëlqehen, të komentohen ose të shpërndahen nga të tjerët, raporton gazeta “Financial Times”.

Pas lansimit të tij të mërkurën, Zuckerbergu e shfrytëzoi llogarinë e vet në Threads për të thënë se dhjetë milionë përdorues janë regjistruar në shtatë orët e para.

“Le ta bëjmë këtë. Mirë se vini në Threads”- shkroi ai në postimin e tij të parë në platformën e re.

Aplikacioni është i lidhur drejtpërdrejt me rrjetin “Instagram”, që ka më shumë se dy miliardë përdorues, dhe është duke u ofruar në më shumë se 100 shtete për sistemet iOS dhe Android, tha kompania.

Rrjeti i ri social, i quajtur edhe “vrasës i Twitter-it” nga disa përdorues, paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për platformën e Muskut. Që nga blerja e rrjetit nga miliarderi për 44 miliardë dollarë në tetorin e vitit të kaluar, platforma ka kaluar nga një krizë në tjetrën, duke i zemëruar përdoruesit dhe reklamuesit.

“Qëllimi është që të mbahet miqësor përderisa zgjerohet. Mendoj se kjo është e mundshme dhe do të jetë përfundimisht çelës drejt suksesit të tij”- shkroi Zuckerbergu. “Kjo është një arsye pse Twitter-i kurrë nuk arriti sukses aq shumë sa mendoj se do të duhej të kishte arritur dhe ne duam që ta bëjmë këtë ndryshe”- shtoi ai.

Kompania “Meta” për një kohë të gjatë është ballafaquar me shqetësimin e akademikëve dhe aktivistëve se nuk i kontrollon mjaftueshëm rrjetet “Instagram” dhe “Facebook”, por me kalimin e kohës i ka ashpërsuar politikat dhe ka investuar në shtimin e kontrollimit të përmbajtjes.

Disa përdorues të rrjetit “Twitter” kanë kërkuar alternativa për këtë platformë për shkak të qëndrimit të Muskut për kontrollimin e përmbajtjes dhe vendosjen e një tarife prej 8 dollarësh me disa shërbime që më parë kanë qenë falas.

Lajme të ngjashme