Turqia lëshon urdhërarrest për gjenocid kundër kryeministrit izraelit Netanyahu
Turqia ka lëshuar urdhërarreste me akuzën për gjenocid kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë brenda kabinetit të tij e jo vetëm.
Në mesin e 37 të të dyshuarve janë edhe ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, si dhe komandanti i ushtrisë, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir, thuhet në një deklaratë të zyrës së prokurorëve të Stambollit, ku nuk u publikua lista e plotë, shkruan gazeta “The Guardian”.
Turqia i akuzon këta zyrtarë izraelitë për “gjenocid dhe krime kundër njerëzimit” që Izraeli “i ka kryer në mënyrë sistematike” në Gaza.
Në deklaratë përmendet edhe “spitali i miqësisë turko-palestineze”, i ndërtuar nga Turqia në Rripin e Gazës e i bombarduar nga Izraeli në mars.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, reagoi në rrjetin X, duke i quajtur urdhërarrestet e Turqisë “marifet për marrëdhënie publike”, ndërsa presidentit turk, Rexhep Erdoan, ia dha epitetin “tiran”.
Turqia vitin e kaluar iu bashkua rastit të Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me të cilin Izraeli akuzohet për gjenocid.
Një armëpushim i brishtë është në fuqi në Gaza që nga 10 tetori si pjesë e planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për paqe në rajon./Nacionale