Dyshohet se një deputet ukrainas mori pushim mjekësor për të shkuar në Maldive në kohë lufte, nis hetimi - NACIONALE

Dyshohet se një deputet ukrainas mori pushim mjekësor për të shkuar në Maldive në kohë lufte, nis hetimi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokurorët ukrainas kanë hapur një rast kriminal për një deputet që dyshohet se ka bërë pushime luksoze në Maldive, duke e shkelur vendimin për ndalimin e udhëtimeve private jashtë vendit në kohë lufte, tha të mërkurën zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Udhëtimet private të zyrtarëve jashtë vendit janë ndaluar në Ukrainë nga janari, ndërsa shumicës së burrave ukrainas të moshave 18 deri në 60-vjeçare u ndalohet largimi i vendit sipas ligjit të luftës, i cili ishte futur në fuqi me rastin e fillimit të pushtimit rus në shkurtin e vitit të kaluar, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas hetimit, deputeti kishte udhëtuar për në Poloni për tri ditë në një udhëtim pune, dhe më pas kishte marrë pushim mjekësor, gjatë të cilit ndodhej në Maldive me familjen e tij, tha zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Ligjvënësi qëndroi në një hotel në një ishull privat në mesin e korrikut, tha Byroja Shtetërore e Hetimeve, e cila është duke e zhvilluar hetimin së bashku me Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës.

Presidenti Volodymyr Zelensky u duk se e përmendi tërthorazi këtë rast në fjalimin e tij të mbrëmjes të martën. Ai i kritikoi korrupsionin dhe zyrtarët që i shmangin përgjegjësitë e tyre gjatë luftës.

“Çfarëdo tradhtie e brendshme, çfarëdo “plazhi” ose çfardëo pasurimi personal në vend të interesave të Ukrainës nxit zemërim, të paktën. Zemërim. Mbajeni në mend këtë”- tha Zelensky.

As presidenti, as prokurorët nuk e kanë bërë të ditur emrin e deputetit.

Ende nuk janë ngritur akuza për këtë rast, në të cilin po hetohet edhe mundësia e falsifikimit të dokumenteve zyrtare për gjatësinë e periudhës kohore, qëllimin dhe destinacionin e udhëtimit të punës. Për një shkelje të tillë, i akuzuari mund të dënohet me më së shumti tri vite burgim.

Lajme të ngjashme