Trumpi thotë se punëtorët e huaj janë “të mirëpritur” në Shtetet e Bashkuara - NACIONALE

Trumpi thotë se punëtorët e huaj janë “të mirëpritur” në Shtetet e Bashkuara

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se punëtorët e huaj në vendin e tij janë “të mirëpritur” dhe se ai nuk dëshiron që “t’i frikësojë” investitorët, dhjetë ditë pas arrestimit të qindra jugkoreanëve në një zonë punimesh në Georgia.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Truth Social”, kreu i Shtëpisë së Bardhë shkroi: “Unë nuk dëshiroj që ta frikësoj ose dekurajoj investimin”, shkruan gazeta “The Guardian”.

“Dua që ata t’i sjellin njerëzit me ekspertizë për një periudhë kohore për t’i mësuar dhe trajnuar njerëzit tanë se si t’i bëjnë këto produkte shumë unike dhe komplekse, përderisa ato po dalin nga vendi ynë, dhe të kthehen në vendin e tyre” – shtoi ai.

Rreth 475 njerëz, kryesisht shtetas të Koresë së Jugut, u arrestuan në një zonë ndërtimi të një fabrike për bateri të automjeteve elektrike, e operuar nga kompania “Hyundai-LG”, në Georgia më 4 shtator.

Zyrtarët e agjencisë për imigrantë e dogana (ICE) pretenduan se jugkoreanët kishin qëndruar në Shtetet e Bashkuara përtej afatit që e kishin në vizat e tyre ose mbanin leje që nuk ua lejonin punën formale manuale.

Operacioni në Georgia ishte më i madhi që është kryer që nga koha kur presidenti amerikan nisi një fushatë shtypëse ndaj imigrantëve në mbarë vendin.

Edhe pse ShBA-ja vendosi kundër dëbimit të tyre, pamjet e punëtorëve duke iu vendosur prangat gjatë operacionit shkaktuan alarm të gjerë në Korenë e Jugut. Seuli i riatdhesoi këta punëtorë të premten.

Në shkrimin e tij, Trumpi i përshkroi rrethanat e lejimit të përkohshëm të ekspertëve të huaj në ShBA për të prodhuar “produkte tepër komplekse”.

“Çipat, gjysmëpërçuesit, kompjuterët, anijet, trenat dhe shumë produkte të tjera për të cilat ne duhet të mësojmë nga të tjerët se si t’i prodhojmë, ose, në shumë raste, të rimësojmë, sepse dikur ishim të mrekullueshëm në këtë gjë, por jo më” – shkroi ai.

“Ne i mirëpresim ata, i mirëpresim punonjësit e tyre dhe jemi të gatshëm që të themi me krenari se do të mësojmë prej tyre dhe se do t’ia dalim edhe më mirë se ta në vetë “lojën” e tyre, në një pikë në të ardhmen jo shumë të largët” – shtoi presidenti.

Sindikatat e punëtorëve në Korenë e Jugut kanë kërkuar nga Trumpi që të publikojë një kërkimfalje zyrtare për arrestimin e punëtorëve./Nacionale

Lajme të ngjashme