Trumpi thotë se po i harxhohet durimi me Iranin, por s’do t’i kërkojë favore Kinës - NACIONALE

Trumpi thotë se po i harxhohet durimi me Iranin, por s’do t’i kërkojë favore Kinës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se durimi i tij me Iranin po harxhohej dhe se homologu i tij kinez, Xi Jinping, është pajtuar që Teherani duhet ta rihapë Ngushticën e Hormuzit.

Duke udhëtuar me aeroplan gjatë kthimit nga Pekini të premten pas bisedimeve dyditore me Jinpingun, Trumpi tha se është duke e shqyrtuar mundësinë për largimin ose jo të sanksioneve amerikane ndaj kompanive kineze të naftës që blejnë karburante nga Irani. Kina është blerësja më e madhe e naftës iraniane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Komentet e tij hodhën dritë mbi atë nëse Pekini mund ta përdorë ndikimin e vet mbi Teheranin për t’i dhënë fund konfliktit për të cilin ka thënë se nuk do të duhej të niste kurrë.

“Nuk do të kërkoj ndonjë favor, sepse, kur kërkon favore, duhet të bësh favore në këmbim” – tha presidenti amerikan, kur u pyet nga një gazetar në aeroplanin presidencial nëse Jinpingu kishte dhënë ndonjë zotim të fortë për t’u bërë presion iranianëve që ta rihapin ngushticën.

“Ne në thelb i kemi zhdukur forcat e armatosura [të Iranit]. Mund të na duhet që të bëjmë pak punë pastrimi” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti kinez nuk i ka komentuar diskutimet e tij me Trumpin rreth Iranit, edhe pse Ministria e Jashtme e Kinës lëshoi një deklaratë me gjuhë të drejtpërdrejtë, ku e paraqiti zemërimin e Pekinit me luftën e Iranit.

Lajme të ngjashme