Trumpi thotë se mbështetja për të ka rënë, me përjashtim të të zgjuarve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, të mërkurën bëri diçka që e ka bërë rrallë: pranoi se mbështetja e tij në sondazhe ka shënuar rënie.
Mbështetja nga amerikanët për Trumpin ra në 38 për qind, pika më e ulët që nga rikthimi i tij në pushtet, sipas një sondazhi të publikuar këtë javë nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”.
“Pra shifrat e mia në sondazhe porsa ranë, por te njerëzit e zgjuar ato janë ngritur dukshëm” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Sipas Trumpit, pozicioni i tij ka marrë një goditje nga aleatët konservatorë që nuk pajtohen me pikëpamjen e tij se disa punëtorë të huaj të kualifikuar do të nevojiten për ta ndihmuar zhvillimin e industrive jetike brenda vendit.
Disa konservatorë i fajësojnë të huajt se po ua marrin vendet e punës shtetasve amerikanë, po i shtypin pagat e tyre dhe po ua mohojnë mundësinë për të garuar në industri që kanë rritje të shpejtë, përfshirë prodhimin e avancuar.
“Ata janë patriotë të jashtëzakonshëm, por thjesht nuk kuptojnë se njerëzit tanë duhet të mësohen” – tha presidenti amerikan, duke iu referuar aleatëve.
Në sondazhet e agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”, mbështetja për Trumpin del rregullisht më e ulët në mesin e amerikanëve me shkollim të lartë sesa tek ata që nuk kanë diplomuar në fakultete.
Në sondazhin e kësaj jave, vetëm 33 për qind e pjesëmarrësve me diplomë fakulteti ose më shumë ishin të kënaqur me performancën e Trumpin në krye të vendit, ndërsa 42 për qind e atyre që nuk kanë diploma të tilla ishin të kënaqur me të./Nacionale