Trumpi thotë se do të dërgojë pajisje “të sofistikuara” ushtarake në Ukrainë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se do të bëjë një deklaratë “të madhe” për Ukrainën të hënën, në kohën kur duket se i është shtuar zemërimi me homologun rus, Vladimir Putin.
Të dielën në mbrëmje, presidenti amerikan tha se pajisje “të sofistikuara” ushtarake do të dërgohen në Ukrainë, përfshirë raketat e sistemit të mbrojtjes ajrore “Patriot”, raporton televizioni BBC.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u duk i irrituar nga mungesa e veprimit nga Moska drejt një armëpushimi në Ukrainë, duke u thënë gazetarëve se “Putini… flet bukur e pastaj bombardon secilin në mbrëmje”.
Komentet e tij vijnë pas një interviste të realizuar të enjten, në të cilën premtoi një “deklaratë të madhe” për të hënën. Mediumi amerikan, “Axios”, raportoi të dielën në mbrëmje se presidenti është duke e shqyrtuar dërgimin e armëve sulmuese në Ukrainë.
Deri më tani, Trumpi i ka ofruar Ukrainës vetëm armatim mbrojtës, si sistemi i mbrojtjes ajrore “Patriot”.
“Ne në thelb do t’u dërgojmë atyre (Ukrainës) pjesë të ndryshme të pajisjeve shumë të sofistikuara ushtarake” – tha ai para gazetarëve, afër aeroplanit presidencial “Air Force One”.
Presidenti amerikan shtoi se “ata do të na paguajnë 100 për qind”, por ishte e paqartë nëse iu referua Ukrainës, Bashkimit Evropian, anëtarëve të NATO-s apo një kombimini mes tyre.
Trumpi refuzoi që të hynte në hollësi për numrin e armëve që Ukraina do t’i marrë, por tha se “ne do t’u dërgojmë atyre (sisteme) Patriot, për të cilat ata kanë nevojë në mënyrë dëshpëruese”.
“Putini vërtet befasoi shumë njerëz. Ai flet bukur e pastaj e bombardon secilin në mbrëmje. Pra, këtu është paksa një problem. Nuk më pëlqen kjo” – deklaroi presidenti i ShBA-së.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë të hënën do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ndërsa emisari i posaçëm amerikan, Keith Kellogg, ndodhet këtë javë në Kiev për bisedime./Nacionale