Trumpi i ik pyetjes se a dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën kundër Rusisë - NACIONALE

Trumpi i ik pyetjes se a dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën kundër Rusisë

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Kandidati republikan për president të ShBA-së, Donald Trump, iu shmang një pyetjeje të drejtpërdrejtë në debatin presidencial të së martës nëse ai dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën kundër Rusisë, duke i vënë në pah shqetësimet se një mandat i ri i tij në Shtëpinë e Bardhë do të mund ta sillte pezullimin e mbështetjes ushtarake amerikane për Kievin.

I pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga moderatori i debatit, David Muir, nëse ai dëshiron apo jo që Ukraina ta fitojë luftën, Trumpi nuk iu përgjigj pyetjes, por thjesht tha: “Unë dua që lufta të ndalet.”

Ish-presidenti u përqendrua te pasojat njerëzore të luftës, duke thënë se njerëzit po vriteshin “me miliona”, shifër që nuk është konfirmuar nga asnjë shtet apo organizatë ndërkombëtare, raporton gazeta “The Guardian”.

Ai më pas tha se nëse i fiton zgjedhjet, do të negocionte një marrëveshje para se ta nisë punën në Shtëpinë e Bardhë dhe sugjeroi se Shtetet e Bashkuara “po luajnë me luftën e tretë botërore”.

Rivalja Harris u kundërpërgjigj shpejt, duke thënë se nëse Trumpi do të kishte qenë president gjatë pushtimit rus të Ukrainës, “Putini do të ishte duke qëndruar ulur në Kiev me sytë nga pjesa tjetër e Evropës” dhe se, në një skenar të tillë, presidenti rus, Vladimir Putin, do të vazhdonte në Poloni.

“Pse nuk u tregon 800 mijë polako-amerikanëve mu këtu në Pensilvani se sa shpejt do të dorëzoheshe për hir të favorit dhe për atë që ti mendon se është miqësi me atë që njihet se është diktator, që do të të hante ty për drekë” – i tha Harrisi Trumpit.

Komentet e Trumpit do t’ri riaktualizojnë shqetësimet në Kiev se ai do ta ndërpresë ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, nëse i fiton zgjedhjet në një moment kyç të luftës, kur Kievi ka nevojë për trupa, mbështetje financiare e pajisje ushtarake, një pjesë e madhe e tyre të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë në NATO.

Këshilltarët e Trumpit tashmë kanë lënë të kuptohet se janë duke punuar për një marrëveshje të paqes të cilën Ukraina do të detyrohej për ta pranuar para se Trumpi të vinte në pushtet në janar, nëse i fiton zgjedhjet e nëntorit.

Trumpi e konfirmoi këtë të martën në mbrëmje, duke e quajtur pushtimin rus “luftë që po vdes për t’u zgjidhur. Unë do ta zgjidh atë madje para se të bëhem president.”

Lajme të ngjashme