Trumpi i do mineralet e rralla të Ukrainës në këmbim të ndihmës amerikane për luftën
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën se ai dëshiron që Ukraina t’i furnizojë Shtetet e bashkuara me minerale të rralla si formë e pagesës për mbështetjen financiare nga Uashingtoni për luftën e Kievit kundër Rusisë.
Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi tha se Ukraina është e gatshme për këtë, duke shtuar se ai dëshiron “barazim” nga Ukraina për mbështetjen amerikane me vlerë prej “afër 300 miliardë dollarëve”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne do t’i themi Ukrainës se ajo ka minerale shumë të çmueshme. Ne do të shikojmë që të bëjmë një marrëveshje me Ukrainën, ku ata do ta sigurojnë atë që ne po ua japim atyre me mineralet e tyre të rralla dhe me gjëra të tjera” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Mineralet e rralla janë grup prej 17 metalesh që përdoren për të prodhuar magnetë që e shndërrojnë energjinë në lëvizje për automjete elektrike, telefona dhe pajisje të tjera elektronike. Nuk ka zëvendësues të njohur për ta.
Vëzhguesi Gjeologjik i ShBA-së konsideron 50 minerale si kritike për ekonominë dhe mbrojtjen kombëtare të vendit, përfshirë disa lloje të mineraleve të rralla, nikelin dhe litiumin.
Ukraina ka rezerva të mëdha të uraniumit, litiumit dhe titanit, edhe pse asnjëri prej tyre nuk konsiderohet në mesin e pesë më të shumtëve nga vëllimi dhe ShBA-ja ka gjithashtu rezerva të këtyre mineraleve dhe mineraleve të tjera kritike.
Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një minierë në operim për minerale të rralla dhe kapacitet shumë të vogël për përpunimin e tyre, edhe pse disa kompani janë duke punuar për të zhvilluar projekte.
Kina është prodhuesja më e madhe në botë e mineraleve të rralla dhe mineraleve të tjera kritike./Nacionale