Trumpi e paralajmëron Iranin se “koha po harxhohet” për arritjen e një pakti bërthamor
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e paralajmëroi Iranin se “koha po harxhohet” për të negociuar një marrëveshje rreth programit bërthamor të Teheranit pas grumbullimit të forcave ushtarake amerikane në Gjirin Persik.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se një “armadë masive” është “duke lëvizur shpejt, me fuqi, entuziazëm dhe qëllim të madh” drejt Iranit, duke iu referuar një force të madhe detare amerikane, raporton televizioni BBC.
Si kundërpërgjigje, misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se Teherani “qëndron i gatshëm për dialog duke u mbështetur në respektin dhe interesat reciproke”, por, nëse detyrohet, do ta mbrojë veten dhe “do të kundërpërgjigjet si kurrë më parë”.
“Shpresoj që Irani do të vijë shpejt në tavolinë dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të paanshme – JO ARMË BËRTHAMORE” – shkroi Trumpi në rrjetin “Truth Social”.
Ai shtoi se forca detare amerikane ishte “e gatshme dhe e aftë për ta përmbushur shpejt misionin e vet, me shpejtësi e dhunë, nëse është e nevojshme”.
Duke iu referuar sulmeve amerikane ndaj qendrave bërthamore të Iranit në qershorin e vitit të kaluar, të cilat ishin kryer gjatë luftës 12-ditore mes Iranit e Izraelit, presidenti amerikan paralajmëroi: “Sulmi i radhës do të jetë shumë më i keq! Mos bëni që ai të ndodhë përsëri.”
Para se presidenti amerikan t’i bënte këto komente, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha: “Bërja e diplomacisë përmes kërcënimit ushtarak nuk mund të jetë efikase apo e dobishme.”
“Nëse ata duan që bisedimet të marrin formë, pa dyshim se duhet t’i lënë anash kërcënimet, kërkesat e tepërta dhe ngritjen e çështjeve të palogjikshme” – shtoi kryediplomati iranian./Nacionale