Trump: “I vetmi shtet që Kina e Rusia ia kanë frikën dhe e respektojnë është ShBA-ja e rindërtuar nga Trumpi” - NACIONALE

Trump: “I vetmi shtet që Kina e Rusia ia kanë frikën dhe e respektojnë është ShBA-ja e rindërtuar nga Trumpi”

7 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se, pa përfshirjen e tij, në këto çaste Rusia do ta kishte nën kontroll tërë territorin e Ukrainës.

Me një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë, si zakonisht, ai i kritikoi vendet e NATO-s për shpenzimet e ulëta në mbrojte dhe i mori meritat për rritjen e tyre.

“Mbajeni në mend, për të gjithë ata tifozët e mëdhenj të NATO-s, ata ishin në 2 për qind [të shpenzimeve të mbrojtjes] të GDP-së dhe shumica nuk ishin duke i paguar faturat e tyre! Unë, me respekt, i bëra që të shkojnë në 5 për qind të GDP-së dhe ata paguajnë, menjëherë” – shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social”.

“Pa përfshirjen time, Rusia do ta kishte tërë Ukrainën mu tani. Mbajeni në mend, gjithashtu, unë me një dorë u dhashë fund 8 luftërave dhe Norvegjia, anëtare e NATO-s, marrëzisht vendosi që të mos ma jepte mua Çmimin Nobel të Paqes. Por kjo s’ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që unë shpëtova miliona jetë” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Më tej, ai pretendoi se Kina e Rusia nuk do t’ia kishin frikën NATO-s pa Shtetet e Bashkuara brenda aleancës.

“Rusia dhe Kina kanë zero frikë nga NATO-ja pa Shtetet e Bashkuara dhe unë dyshoj se NATO-ja do të ishte aty për ne, nëse vërtet do të kishim nevojë për të. Të gjithë janë me fat që unë e rindërtova ushtrinë tonë në mandatin e parë dhe vazhdoj ta bëj këtë” – shkroi Trumpi.

“Ne do të jemi gjithmonë aty për NATO-n, edhe nëse ata nuk do të jenë aty për ne. I vetmi shtet të cilit Rusia e Kina ia kanë frikën dhe e respektojnë është ShBA-ja e rindërtuar nga DJT [Donald John Trump]” – shtoi në fund presidenti amerikan.

Lajme të ngjashme