Treni del nga shinat në Pakistan: 30 të vdekur dhe 100 të plagosur
Një aksident tragjik ndodhi në Pakistanin jugor kur një tren doli nga shinat, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 30 personave dhe duke lënë rreth 100 të tjerë të plagosur, raporton BBC.
Sipas raportimit, disa vagona të Hazara Express u kthyen përmbys pranë stacionit hekurudhor Sahara në Nawabshah.
Ekipet e shpëtimit hynë menjëherë në veprim, duke i çuar pasagjerët e plagosur në spitalet aty pranë dhe duke punuar për të çliruar njerëzit e bllokuar në rrënoja. Situata i shtyu autoritetet të shpallin një emergjencë në spitalet kryesore të Nawabshah dhe rrethet fqinje të Sindh.

Siç shkruan BBC, kjo nuk ishte hera e parë që një katastrofë e tillë kishte goditur hekurudhat e rajonit. Në vitin 2021, pati një përplasje mes dy trenave në provincën Sindh, e cila çoi në vdekjen e të paktën 40 personave dhe shkaktoi lëndime shumë të tjerë.
Raportimet e mediave lokale treguan se midis 2013 dhe 2019, 150 persona humbën jetën në incidente të ngjashme.
Sistemi hekurudhor i vjetër i Pakistanit raportohet se ka qenë prej kohësh i prirur për aksidente dhe ky incident ka ngritur shqetësime.
Saad Rafiq, Ministri i Hekurudhave, përmendi se hetimet fillestare zbuluan se treni po udhëtonte me një shpejtësi normale, por ata ende po përpiqeshin të përcaktonin shkakun e daljes nga shinat.