Tre të vdekur nga sulmi rus në Zaporizhia të Ukrainës - NACIONALE

Tre të vdekur nga sulmi rus në Zaporizhia të Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy gra të reja dhe një burrë u vranë, ndërsa nëntë të tjerë u plagosën nga një sulm rus me raketa në Zaporizhia të Ukrainës të mërkurën vonë, thanë të enjten zyrtarët ukrainas.

Një reporter i agjencisë “Reuters” në vendin e ngjarjes i pa punëtorët e ekipeve të emergjencës duke marrë një trup, duke e vendosur në barelë dhe duke e futur në një qese të zezë.

“Tre persona të vdekur e nëntë të lënduar, përfshirë një foshnjë 11-muajshe – ky është rezultati i sulmit ndaj qendrës rajonale. Predha ruse ua mori jetën një burri 43-vjeçar dhe dy grave të reja, 19 e 21-vjeçare”- thuhet në një deklaratë të zyrës së presidentit Volodymyr Zelensky.

Zyrtarët thanë se dy persona janë vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa një grua ka vdekur gjatë natës në spital.

Në një video të publikuar nga Zelensky shihej tymi duke dalë nga ndërtesat që po digjeshin dhe që ishin dëmtuar rëndë pranë një kishe.

Sekretari i Këshillit të Qytetit në Zaporizhia, Anatoliy Kurtev, tha se kisha ishte shkatërruar dhe se rreth 15 ndërtesa të larta ishin dëmtuar. Autoritetet pranuan kërkesa nga banorët e të paktën 400 banesave për t’i riparuar dritaret e thyera dhe ballkonet e dëmtuara.

Zyrtarët ukrainas kanë raportuar shtim të bombardimeve ruse rishtazi në rajonin e Zaporizhias, në jug të Ukrainës.

Zyra e presidentit Zelensky tha se ushtria ruse gjatë 24 orëve të kaluara kishte kryer 82 sulme në 21 fshatra e qyteza të rajonit Zaporizhia, duke përdorur artileri, raketa e dronë.

Lajme të ngjashme