Tre protestues të tjerë dënohen me vdekje në Iran
Gjyqësori i Iranit ka dënuar tre protestues të tjerë antiqeveritar me vdekje për "luftë kundër Zotit". Irani ka varur dy persona të tjerë në përpjekjet e tij për të shuar protestat që janë ngadalësuar ndjeshëm që nga fillimi i ekzekutimeve, të kryera vetëm disa javë pas arrestimeve.
Mediat e huaja raportuan se Saleh Mirhashemi, Majid Kazemi dhe Saeid Yaghoubi, të dënuar për vrasjen e dyshuar të anëtarëve të milicisë vullnetare Basij gjatë protestave antiqeveritare në qytetin qendror të Isfahanit, mund të apelojnë dënimet e tyre. Forcat Basij, të lidhura me Gardën Revolucionare elitare, po udhëheqin goditjen e qeverisë ndaj trazirave të shkaktuara nga vdekja më 16 shtator e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e policisë morale të Iranit.
Papa Françesku ka dënuar Iranin për përdorimin e dënimit me vdekje kundër protestuesve që kërkojnë respekt më të madh për gratë. “E drejta e jetës kërcënohet edhe në vendet ku ende zbatohet dënimi me vdekje, siç është rasti i këtyre ditëve në Iran, pas protestave të fundit që kërkonin respektimin e dinjitetit të gruas”, tha Françesku.
Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei e bëri të qartë të hënën se vendi nuk ka ndërmend të zbusë veprimet e tij. Khamenei tha në një fjalim televiziv se ata që "vënë zjarrin në vende publike kanë kryer tradhti pa dyshim". Sipas ligjit islamik iranian, tradhtia dënohet me vdekje.
Aktivistët e të drejtave të njeriut i konsiderojnë ekzekutimet, arrestimet dhe dënimet e protestuesve si një përpjekje për t'i frikësuar ata. Edhe pse institucioni ka dyfishuar shtypjen e tij, protesta më të vogla vazhdojnë të zhvillohen në Teheran, Isfahan dhe disa qytete të tjera. Të paktën katër persona janë ekzekutuar që nga fillimi i protestave, duke përfshirë dy protestues, për vrasjen e dyshuar të anëtarëve të Basit, njoftuan autoritetet. /Nacionale/