Tre persona vdesin nga një sëmundje misterioze në Afrikë, i ngjan Ebolës
Tre njerëz kanë vdekur nga një sëmundje misterioze në Tanzani. Thuhet se sëmundja i ngjan Ebolës.
Autoritetet në shtetin e Afrikës Lindore e kanë quajtur “të çuditshme” përhapjen e kësaj sëmundjeje.
Zyrtarët shëndetësorë janë dërguar në terren për ta hulumtuar sëmundjen që ka prekur gjithsej 13 persona, shkruan “Daily Mail”, përcjell Nacionale.
Në mesin e simptomave përfshihen ethet dhe temperatura e lartë, plogështia dhe gjakderdhja, sidomos nga hunda.
Në Tanzani kurrë nuk janë regjistruar raste të Ebolës ose Marburgut, dy viruse vdekjeprurëse që njihen për shkaktimin e gjakderdhjes.
Sidoqoftë, raste të tilla në të kaluarën janë regjistruar në vendet fqinje, Ugandë e Republikën Demokratike të Kongos.
Asnjëri nga 13 pacientët në Tanzani, që jetojnë në rajonin jugor, Lindi, nuk kanë dalë pozitivë në testin për këto viruse. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ata kanë dalë negativë edhe në testin për Covid-19.
Shefi i sektorit të shëndetësisë, Aifello Sichalwen, tha se njëri nga pacientët është shëruar plotësisht, ndërsa të tjerët janë vendosur në izolim.
Ai shtoi: “Qeveria ka formuar një ekip të profesionistëve, të cilët ende janë duke e hetuar këtë sëmundje të panjohur.”
Presidentja e Tanzanisë, Samia Suluhu Hassan, tha se sëmundja e çuditshme mund të jetë shkaktuar nga shtimi i ndërveprimit mes njerëzve dhe kafshëve të egra.
Viruset Ebola dhe Marburg, që dihet se përhapen mes njerëzve, mund të transmetohen edhe përmes lakuriqëve.
Gana, shtet në Afrikën Perëndimore, javën e kaluar raportoi dy raste të dyshimta me virusin e Marburgut, që ka shkallë të lartë të vdekshmërisë së të infektuarve.
Pacientët nuk njihen me njëri-tjetrin, duke lënë të kuptohet se virusi është duke u përhapur më gjerësisht.