Tre astronautë kthehen në Tokë pas qëndrimit 6-mujor në stacionin hapësinor të Kinës
Tre astronautë kinezë u kthyen në Tokë të martën në mëngjes pas qëndrimit në stacionin hapësinor të Kinës për gjashtë muaj.
Jing Haipeng, Zhu Yangzhu dhe Gui Haichao u shfaqën me shëndet të mirë nga kapsula e kthimit afër Qendrës së Nisjes së Satelitëve në Jiuquan, në skajin e Shkretëtirës së Gobit, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve, “Xinhua”.
Ekuipazhi i ri i stacionit hapësinor të Kinës arriti në stacionin “Tiangong” javën e kaluar, raporton agjencia “Associated Press”.
Pamjet nga minuta 1:36:00
Kina e kishte realizuar misionin e parë hapësinor me ekuipazh në vitin 2003 dhe planifikon që të dërgojë astronautë në Hënë para vitit 2030. Ky shtet ka marrë mostra nga sipërfaqja e Hënës dhe ka lëshuar sondë në pjesën më pak të eksploruar të saj. Në planet për të ardhmen përfshihet dërgimi i një teleskopi për të bërë hulumtime më të thella në univers.
Kina e kishte ndërtuar stacionin e vet hapësinor pasi ishte lënë jashtë Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, kryesisht për shkak të shqetësimit të Shteteve të Bashkuara për kontrollin ushtarak kinez rreth programit hapësinor kombëtar.
Pekini ka dalë si rival kryesor i Uashingtonit për arritjen e hapave të rinj në hapësirë, ndërsa bashkëpunimi mes tyre në këtë fushë është tepër i kufizuar, siç kërkohet me ligje amerikane. Kjo e pasqyron garën për ndikim mes dy ekonomive më të mëdha të botës në teknologji, tregti, ushtri e diplomaci.
Shtetet e Bashkuara planifikojnë që të dërgojnë astronautë në sipërfaqen e Hënës në fund të vitit 2025 si pjesë e një përkushtimi të përtërirë ndaj misioneve me ekuipazhe, të mbështetura nga kompanitë e sektorit privat, si “SpaceX” dhe “Blue Origin”.
Përpos programeve të tyre hënore, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë lëshuar edhe sonda në Mars, ndërsa Kina planifikon që ta ndjekë ShBA-në edhe për lëshimin e një sonde në një asteroid.
