Tony Blair: Epoka e dominimit të Perëndimit po shkon drejt fundit
Tony Blair u ka bërë një thirrje kombeve perëndimore që të bashkohen për të zhvilluar një strategji koherente për të kundërshtuar ngritjen e Kinës si "superfuqia e dytë në botë".
“Çmenduria në politikën tonë duhet të ndalet. Ne nuk mund të përballojmë luksin për të kënaqur fantazinë. Ne duhet të vendosim përsëri arsyen dhe strategjinë. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë me urgjencë”, u shpreh Blair.
Tony Blair ka paralajmëruar se epokës së dominimit politik dhe ekonomik perëndimor po i vjen fundi për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ngritjes së Kinës si "superfuqia e dytë" në botë. Ish-kryeministri britanik tha se fuqitë perëndimore duhet të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes për të ruajtur supremacinë e tyre ushtarake.
Ai tha se pushtimi "brutal dhe i pajustifikuar" i Vladimir Putin në Ukrainë tregoi se Perëndimi nuk mund të presë më automatikisht që fuqitë e mëdha botërore t'u përmbahen normave të pranuara ndërkombëtare.
“Si rezultat i veprimeve të Putinit, ne nuk mund të mbështetemi më tek lidershipi kinez që të sillet në një mënyrë që ne e konsiderojmë racionale”, tha ai. "Mos më keqkuptoni. Nuk po them që Kina do të përpiqet të marrë Tajvanin me forcë në të ardhmen e afërt. Por ne nuk mund ta bazojmë politikën tonë në sigurinë se ata nuk do ta bëjnë këtë", tha ai.
Ai tha se ndryshimi më i madh gjeopolitik i këtij shekulli do të vijë nga Kina, jo nga Rusia. "Ne po i afrohemi fundit të dominimit politik dhe ekonomik perëndimor", tha ai.

Dhe edhe duke lënë në krah Tajvanin, realiteti është se Kina nën udhëheqjen e Xi po konkurron për ndikim dhe e bën këtë në mënyrë agresive".
Ai tha se Pekini do të konkurronte "jo vetëm për pushtet, por kundër sistemit tonë, mënyrës sonë të qeverisjes dhe të jetesës" dhe se Perëndimi duhet të ishte mjaft i fortë për të mbrojtur sistemet dhe vlerat e tij.
“Është hera e parë në historinë moderne që Lindja mund të jetë në kushte të barabarta me Perëndimin”.
Me Kinën – si dhe vende si Rusia, Turqia dhe Irani – që derdhin burime në botën në zhvillim duke ndërtuar lidhje të forta mbrojtëse dhe politike, Tony Blair tha se ishte thelbësore që Perëndimi të mos harronte rëndësinë e fuqisë së butë.

“Ne kemi një mundësi të madhe. Vendet në zhvillim preferojnë biznesin perëndimor. Ata janë shumë më skeptikë tani për kontraktimet kineze sesa një dekadë më parë. Ata e admirojnë sistemin perëndimor më shumë sesa e kuptojmë ne”, tha ai. /Nacionale/
