Thuhet se Trumpi i ka dhënë Maduros ultimatum për ta dorëzuar pushtetin në Venezuelë - NACIONALE

Thuhet se Trumpi i ka dhënë Maduros ultimatum për ta dorëzuar pushtetin në Venezuelë

9 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thuhet se gjatë një bisede telefonike i ka dhënë një ultimatum homologut venezuelas, Nicolas Maduro, që ta dorëzojë pushtetin menjëherë, por presidenti autoritar e ka refuzuar kërkesën, duke kërkuar “amnisti globale” për veten dhe aleatët.

Të dielën, kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se telefonata mes tij dhe Maduros kishte ndodhur, duke thënë para gazetarëve: “Nuk do të thosha se ka shkuar mirë apo keq, ishte telefonatë.”

As Shtetet e Bashkuara, as Qeveria e Venezuelës nuk kanë dhënë hollësi të mëtejme për temat e diskutuara gjatë bisedës shumë të pazakonshme, e cila mendohet se është zhvilluar më 21 nëntor, raporton gazeta “The Guardian”.

Megjithatë, burimet i thanë gazetës amerikane “Miami Herald” se Trumpi i kishte dërguar një “porosi të hapur” homologut nga Amerika e Jugut, i cili është në fokusin e një fushate 4-mujore të presionit në të cilën Trumpi ka urdhëruar dislokim masiv të forcave detare në Karaibe, në veri të bregdetit të Venezuelës.

“Mund ta shpëtosh veten dhe ata që janë më të afërtit ndaj teje, por duhet të largohesh nga vendi tani” – raportohet t’i ketë thënë Trumpi Maduros, duke i ofruar largim të sigurt nga Venezuela atij, bashkëshortes dhe të birit “vetëm nëse ai pajtohet për të dhënë dorëheqje menjëherë”.

Sidoqoftë, presidenti i Venezuelës thuhet se refuzoi që të jepte dorëheqje menjëherë dhe gjoja bëri një varg kundërkërkesash, përfshirë imunitetin global nga ndjekja penale dhe të lejohej që ta dorëzonte kontrollin politik, por ta mbante kontrollin mbi forcat e armatosura, transmeton gazeta "Nacionale".

Gazeta amerikane tha se nuk ka pasur kontakt të mëtejmë të drejtpërdrejtë mes Trumpit e Maduos, edhe pse presidenti venezuelas thuhet se ka kërkuar që të zhvillojë një telefonatë tjetër fundjavën e kaluar, pasi Trumpi e shpalli hapësirën ajrore të Venezuelës “të mbyllur në tërësinë e saj”.

“Qeveria e Maduros... nuk mori përgjigje” – raportoi gazeta “Miami Herlad”, duke shtuar se diskutimi i parë mes dy presidentëve ishte ndërmjetësuar nga Brazili, Katari dhe Turqia.

Pavarësisht nga pretendimi i rrjedhur se Trumpi i ka dhënë Maduros ultimatum, shumë vëzhgues janë skeptikë se presidenti amerikan do t’i mbështesë këto kërcënime me veprime ushtarake të shkallës së lartë.

“Maduroja dhe shumica e hordhisë së tij i shohin kërcënimet ushtarake të ShBA-së si mashtrim” – i tha muajin e kaluar gazetës “The Wall Street Journal” një burim që ka kontakte të rregullta me zyrtarë të lartë të Venezuelës.

Që nga zgjedhja e tij më 2013, Maduroja u ka mbijetuar disa krizave, përfshirë fushatën me “presion maksimal” të Trumpit gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, disa valë të protestave masive, rënien ekonomike historike, vrasjen në tentativë më 2018 dhe atë që dukej si humbje e zgjedhjeve në garën e fundit, ku besohet gjerësisht se Maduroja kishte humbur përballë ish-diplomatit Edmundo Gonzalez.

Lajme të ngjashme