Thuhet se Izraeli po shpreson për pakt armëpushimi në Gaza para vizitës së Netanyahut në ShBA - NACIONALE

Thuhet se Izraeli po shpreson për pakt armëpushimi në Gaza para vizitës së Netanyahut në ShBA

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Izraeli është duke çuar përpara përpjekje të konsiderueshme për të arritur një marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza para vizitës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington javën e ardhshme, raportojnë tri televizione izraelite.

Izraeli tani për herë të parë është i gatshëm që të përfshihet në bisedime për kornizë gjithëpërfshirëse për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza me të cilën do të sigurohej lirimi i të gjitha 50 pengjeve të mbetura nga Hamasi, raportoi televizioni “Channel 12”, duke cituar burime të përfshira në bisedime, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Edhe nëse Hamasi pajtohet në parim me këtë kornizë, gjë që ka mundësi të ndodhë në 24 orët e ardhshme, procesi do të marrë kohë, thuhet më tej në raport.

Duke supozuar se do të sigurohet një zotim themelor nga Hamasi, bisedimet më pas do të duhet të mbahen në Doha të Katarit ose në Kajro të Egjiptit për t’i diskutuar lirimin e të burgosurve palestinezë në këmbim të lirimit të pengjeve, procesin e tërheqjes së ushtarëve izraelitë nga Gaza dhe hyrjen e ndihmave humanitare – bisedime që mund të marrin të paktën një javë, sipas këtij televizioni.

Të mërkurën në mbrëmje, Netanyahu tha se qëllimet e Izraelit që të mposhtet Hamasi dhe të lirohen pengjet janë ende të arritshme. “Po ju them, nuk do të ketë Hamas. Nuk do të ketë Hamastan. Nuk do të kthehemi te kjo. Ka marrë fund. Ne do t’i lirojmë të gjitha pengjet tona” – premtoi ai.

Çfarëdo sugjerimi se këto dy qëllime janë në kundërshtim me njëra-tjetrën është “marrëzi”, sipas kryeministrit izraelit, i cili tha se “kjo funksionon bashkë”. “Ne do ta kompletojmë këtë së bashku, ndryshe nga ajo që ata e thonë. Do t’i eliminojmë ata deri në fund” – paralajmëroi Netanyahu./Nacionale

Lajme të ngjashme