“The Times”: Izraeli e ka shtyrë sulmin hakmarrës ndaj Iranit - NACIONALE

“The Times”: Izraeli e ka shtyrë sulmin hakmarrës ndaj Iranit

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Izraeli është detyruar që të shtyjë një sulm të mundshëm hakmarrës ndaj Iranit, pasi disa hollësi të planeve u zbuluan nga Shtetet e Bashkuara, raportoi të enjten gazeta e njohur britanike, “The Times”.

Sipas raportimit të kësaj gazete, në të cilin citohet një burim i paidentifikuar i inteligjencës me njohuri rreth diskutimeve izraelite, Izraeli brengoset që, edhe pse asnjë cak i mundshëm nuk përmendet në dokumentet që kanë rrjedhur, hollësitë e ofruara do të mund ta ndihmonin Iranin që të parashikonte modele të caktuara të sulmit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

E përditshmja britanike tha se Izraeli ka zhvilluar një plan alternative, por duhet ta ushtrojë atë para se të vazhdojë tutje.

“Rrjedhja e dokumenteve amerikane e shtyu sulmin për shkak të nevojës për të ndryshuar strategji dhe përbërës të caktuar. Do të ketë një hakmarrje, por kjo ka zgjatur më shumë se që duhej të zgjaste” – tha burimi.

Duke qenë me shenjën “top sekrete”, dokumentet fillimisht u shfaqën në internet të premten në aplikacionin “Telegram” dhe u shpërndanë shpejt nëpër kanalet e këtij rrjeti që janë të popullarizuara tek iranianët.

Të martën, Byroja Federale e Hetimeve (FBI) e Shteteve të Bashkuara tha se ishte duke e hetuar lëshimin e papublikuar të dokumenteve të klasifikuara rreth përgatitjeve të fundit të Izraelit për një sulm të mundshëm hakmarrës. Duke folur para gazetarëve në Romë, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, tha se nuk kishte shenja që ndonjë punonjës nga Zyra e Sekretarit të Mbrojtjes po hetohej për këtë rrjedhje.

Irani ka qenë duke u përgatitur për një hakmarrje të Izraelit pas sulmit të drejtpërdrejt me mbi 180 raketa drejt këtij shteti më 1 tetor. Nga sulmi u vra një burrë palestinez në Bregun Perëndimor, ndërsa u shkaktuan edhe dëme në zona të banimit e në baza ushtarake. Ushtria izraelite ka thënë se sulmi nuk ka pasur ndikim operacional./Nacionale

Lajme të ngjashme