"The Guardian": Arabia Saudite ia mohoi ShBA-së shfrytëzimin e hapësirës së saj ajrore për sulme ndaj Iranit
Turqia, Arabia Saudite, Katari dhe Omani i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të mos fillojë sulme ajrore kundër Iranit përmes një fushate lobimi të minutës së fundit, e nxitur nga frika se një sulm nga Uashingtoni do të çonte në një konflikt të madh e të pakontrollueshëm në mbarë Lindjen e Mesme.
Paralajmërimet për kaos nga këto shtete, aleate të vjetra të Shteteve të Bashkuara, duket se kanë ndikuar që Trumpi të mërkurën në mbrëmje të tërhiqej për momentin nga opsioni i një sulmi ushtarak. Në rastin e Arabisë Saudite, ngurrimi i saj ndikoi që t’ia mohonte ShBA-së shfrytëzimin e hapësirës së saj ajrore për organizimin e ndonjë sulmi, raporton gazeta “The Guardian”.
Duke i vazhduar diskutimet, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan, u konsultua përmes telefonit me homologët e tij nga Irani, Omani dhe Turqia të enjten.
Irani mbetet politikisht i ndarë nga shtetet e Gjirit Persik pjesërisht për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që ua jep grupeve prokura që i ka në rajon, të njohura si Boshti i Rezistencës, si dhe për shkak të refuzimit për të mbështetur një zgjidhje me dy shtete për Palestinën.
Megjithatë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, gjithashtu ka zhvilluar një varg vizitash në kryeqytete të vendeve arabe për të cilat thuhet se i kanë përmirësuar raportet me Teheranin. Vitin e kaluar, për shembull, ai e vizitoi Bahrejnin, ministri i parë iranian që bëri një veprim të tillë që nga viti 2010. Ai gjithashtu e vizitoi Kajron katër herë vitin e kaluar në përpjekje për t’i përmirësuar marrëdhëniet. Dy vendet i kishin shkëputur marrëdhëniet diplomatike në vitin 2016.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka bërë thirrje për dialog. “Shpresojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Irani do ta zgjidhin këtë çështje mes vete – qoftë përmes ndërmjetësve, aktorëve të tjerë apo dialogut të drejtpërdrejtë. Ne jemi duke i ndjekur për sër afërmi këto zhvillime” – tha ai.
Kryediplomati iranian së fundi ka qenë duke bërë përpjekje që t’i bindë vendet e Gjirit Persik se vendi i tij paraqet më pak rrezik ndaj stabilitetit global se Izraeli. Një gjë e tillë u bë më e besueshme, pasi Izraeli e bombbardoi Dohan e Katarit në shtatorin e vitit të kaluar me synimin që t’i vriste negociatorët e Hamasit, të cilët kanë jetuar në këtë qytet për gati një dekadë. Izraeli dështoi që t’i godiste caqet kryesore, por thuhet se vrau pesë anëtarë të rangjeve më të ulëta të grupit palestinez.
Baza ajrore amerikane, “Al Udeid”, më e madhja e ShBA-së në rajon, ndodhet në Katar dhe, me rritjen e tensioneve të mërkurën, Uashingtoni tërhoqi personel kyç nga kjo bazë./Nacionale