The Economist shkruan se ShBA kërkon ta largojë Ballkanin nga gazi rus: "Edhe Kosova e vogël në vëmendjen amerikane"
Politika e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor po orientohet gjithnjë e më shumë nga interesat e gazit natyror, sipas një artikulli të publikuar nga The Economist. Mediumi përmend edhe Kosovën si pjesë e ofensivës së re energjetike amerikane në Ballkanin Perëndimor.
Sipas prestigjiozes britanike, terminali lundrues i gazit natyror të lëngëzuar në ishullin kroat të Krkut, në funksion që nga viti 2021, është bërë një nyje e rëndësishme evropiane për importin e GNL-së, kryesisht, por jo vetëm, nga Amerika. The Economist e paraqet këtë terminal si pjesë të një prirjeje më të gjerë të politikës “America First”.
Kjo u pa, sipas mediumit, në samitin e Nismës së Tre Deteve, të mbajtur në prill në Dubrovnik. Aty, Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, promovoi kuadrin e quajtur “Trump Peace Pipelines Framework”, përmes të cilit, sipas tij, Evropa qendrore dhe lindore do të mund ta zëvendësonin varësinë e mbetur nga gazi rus me gaz amerikan.
Aty shkruhet më tej se ofensiva energjetike amerikane shkon përtej synimit për të zëvendësuar gazin rus: Strategjia e Sigurisë Kombëtare e nëntorit 2025 e përcakton hapur si përpjekje për të rikthyer "dominimin energjetik" të ShBA-së.
Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Kosovanuk ka ende lidhje me rrjetet rajonale të gazit, teksa The Economist vë theksin te presioni i ri amerikan për ta rikthyer në tavolinë projektin e pezulluar të gazsjellësit me Maqedoninë e Veriut.
"Edhe Maqedonia e Veriut ishte më parë e varur nga gazi rus. Në shkurt, ajo nënshkroi një marrëveshje me të cilën u zotua të blejë gaz natyror të lëngshëm amerikan. Edhe Kosova e vogël është në shënjestër të Amerikës. Ajo nuk ka asnjë gazsjellës që e lidh me rrjetet rajonale të gazit. Në vitin 2021, Albin Kurti, kryeministri i saj, pezulloi një projekt për ta lidhur vendin me Maqedoninë e Veriut", shkruan ndër tjera The Economist.
Pak para zgjedhjeve të 7 qershorit, Ngarkuara me Punë e ShBA-së në Prishtinë paralajmëroi se vendi rrezikonte të mbetej i vetmi shtet ballkanik "pa qasje në GNL-në amerikane", nëse nuk ringjallej projekti i gazsjellësit me Maqedoninë e Veriut, i pezulluar në 2021 nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas Prattipatit, eksportet amerikane të GNL-së pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të kalojnë përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Ajo ka përmendur edhe mundësinë që Kosova të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL-së në Alexandroupolis të Greqisë me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.
Aty thuhet më tej se lidhja me një projekt tashmë të planifikuar do ta shkurtonte afatin kohor dhe do t’i ulte kostot për Kosovën. Prattipati ka theksuar gjithashtu se Qeveria e ShBA-së ka mekanizma financimi për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.
Por paralajmërimi kryesor i saj lidhet me kohën. “Dritarja për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet.”
“Vonesa në këtë vendim rrezikon që furnizimet amerikane me GNL të zotohen diku tjetër dhe mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm të Ballkanit Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane.”
Në fund, Prattipati e ka paraqitur vendimin si zgjedhje strategjike për Kosovën, duke e lidhur edhe me prioritetin e administratës Trump për uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i bashkohet një partneriteti afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së, për ta siguruar të ardhmen e saj energjetike.”