“The Economist”: Duke e shfrytëzuar rrëmujën në Siri, Izraeli po kap më shumë pjesë të Golanit
Vargu i fortesave të hirta katrore, të shpërndara në horizont, janë përkujtim i ditëve kur Izraeli po përgatitej për një sulm nga divizionet e blinduara siriane nga Rrafshnalta e Golanit. Kjo gjë për herë të fundit ndodhi në Luftën e Yon Kippurit, më 1973, kur ushtria siriane për pak nuk depërtoi. Kjo ushtri ishte njëra nga më të fuqishmet në Lindjen e Mesme. Megjithatë, kanë kaluar shumë vjen që nga koha kur ajo ishte e frikshme.
Më 7 dhjetor, ajo që kishte mbetur nga njësitet siriane që i ruanin me trupa vijat e armëpushimit për gjysmë shekulli thjesht u shkri. Në vend të tyre arriti një grup i çrregullt i rebelëve lokalë, të cilët nuk bënë rezistencë të nesërmen, kur tanket izraelite avancuan, duke marrë pozicione në atë që kishte qenë si zonë neutrale. Një ekip i komandove izraelite e kapën pikën boshe siriane të vrojtimit në Jabal al-Shaykh, pika më e lartë në Vargmalet e Hermonit, në 2.814 metra lartësi mbidetare, raporton gazeta “The Economist”.
Forca ajrore izraelite gjithashtu kreu sulme në mbarë Sirinë, duke i shkatërruar ato që zyrtarët ushtarakë izraelitë thanë se ishin “depo strategjike” që përmbanin armë kimike – të cilat regjimi i Assadit i kishte përdorur kundër rebelëve në shumë raste – si dhe raketa me rreze të gjatë e sisteme kundërajrore. Izraeli dëshiron që ta parandalojë trafikimin e këtyre armëve te Hezbollahu, lëvizje e mbështetur nga Irani në Liban, ose që ato të merren nga grupet rebele potencialisht armiqësore ndaj Izraelit.
Dikur skenë e betejave të ngritura, Golani konsiderohet nga Qeveria e Izraelit si pasuri kritike për sigurinë kombëtare të vendit. Rrafshnalta shtrihet mes katër shteteve: Siria, Izraeli, Libani e Jordania. Izraeli e ka pushtuar pjesën perëndimore të saj që nga viti 1967.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u tregua i shpejtë për ta kapitalizuar avancimin izraelit. Vetëm disa orë pasi Bashar al-Assadi iku për në Moskë, Netanyahu shkoi në Golan për të bërë fotografi. Ai çmoi “një ditë historike për Lindjen e Mesme” dhe i mori meritat për kryengritjen e popullit sirian, duke thënë se ajo ishte “rezultat i drejtpërdrejtë i veprimit tonë të fortë kundër Hezbollahut dhe Iranit”.

Ai shtoi se hyrja e trupave izraelite në pjesën lindore të rrafshnaltës ishte “pozicion i përkohshëm mbrojtës derisa të gjendet një rregullim i përshtatshëm”. Në të vërtetë, kjo fjali mungoi në një deklaratë identike – me përjashtim të saj – në gjuhën hebraike. Partnerët e Netanyahut nga e djathta ekstreme në koalicionin qeveritar duan që të aneksojnë disa pjesë të Golanit sirian.
Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grupi më i fuqishëm rebel në Siri, nuk e ka kërcënuar Izraelin në të kaluarën dhe pretendon se është i përqendruar te bashkimi i Sirisë në epokën pas Assadit. Megjithatë, disa vëzhgues izraelitë besojnë se ideologjia e tij i ngjan asaj të Hamasit. Ata theksojnë se nofka e luftës e udhëheqësit të grupit, Abu Muhammad al-Jolani, u referohet rrënjëve të familjes së tij në Golanin e kontestuar, shenjë se ndoshta ai ka qëllime për atë territor. Ka shqetësim edhe për përkrahësen kryesore të HTS-së, Qeverinë e Turqisë. Presidenti turk, Rexhep Erdogan, e ka mbështetur Hamasin dhe i ka shkëputur shumicën e lidhjeve mes vendit të tij dhe Izraelit.
Megjithatë, jo të gjithë vëzhguesit izraelitë janë të brengosur. “Për Izraelin tani ka më shumë mundësi se rreziqe në Siri” – tha Carmit Valensi, drejtoreshë e programit hulumtues për Sirinë në Institutin e Studimeve për Siguri Kombëtare në Tel-Aviv. Shumica e grupeve rebele afër kufirit të Golanit nuk janë të rreshtuara me HTS-në dhe përfshijnë luftëtarë nga komuniteti Druze, me të cilët Izraeli ka pasur lidhje të mira në të kaluarën. E njëjta qëndron për rebelët kurdë, që mbizotërojnë në verilindjen e Sirisë.
“Kur Assadi është larguar dhe Irani nuk është më i fuqishëm në Siri, Izraeli ka një mundësi për ta shfrytëzuar diplomacinë me lojtarët e rinj në Siri dhe të mundohet që ta garantojë sigurinë” – shtoi zonja Valensi. Amos Yadlin, ish-drejtor i inteligjencës ushtarake që e kishte shtyrë Qeverinë për ta rrëzuar regjimin në Siri, ka pikëpamje të ngjashme. Sipas tij, ka pak gjasa që Golani të paraqes kërcënim të drejtpërdrejtë. “Izraeli duhet të përqendrohet në prioritetet e tij të vërteta, e para prej të cilave duhet të jetë përfundimi i luftës në Gaza me një armëpushim të qëndrueshëm” – tha ai.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli