Tharja e lumit Yangtze në Kinë, zbulohet një ishull me tri statuja budiste - NACIONALE

Tharja e lumit Yangtze në Kinë, zbulohet një ishull me tri statuja budiste

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Rënia e nivelit të ujit të lumit Yangtze në Kinë ka zbuluar një ishull të zhytur në ujë me tre statuja budiste që besohet të jenë 600 vjeçare.

Në mes të një vale të fortë të të nxehtit që ka çuar në lëshimin e një alarmi mbarëkombëtar për thatësirën, janë tharë pjesë të lumit të tretë më të gjatë në botë, Yangtze.

Sky News shkruan se, tre statujat janë gjetur në pjesën më të lartë të shkëmbinjve të ishullit në qytetin jugperëndimor të Kinës, Chongqing.

Një nga statujat në ishull - e quajtur Foyeliang - shfaq një murg të ulur në një piedestal zambak uji.

Vala e të nxehtit në vend është më ekstremi në gjashtë dekada dhe ka bërë që në një numër qytetesh temperaturat të kalojnë 40 gradë Celsius.

Mes frikës për një "situatë të rëndë" në provincën Sichuan mbi humbjen e ujit në sistemin hidroenergjetik, parashikuesit kanë paralajmëruar se këto kushte mund të zgjasin deri në muajin shtator.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur punën për të ruajtur energjinë dhe për të siguruar ujë të freskët për ujitje të të korrave përpara vjeshtës.

Kjo valë e fortë e të nxehtit në pellgun Yangtze është shkaktuar nga një lartësi subtropikale e Paqësorit Perëndimor më e madhe se zakonisht. Ajo ka zgjatur për më shumë se dy muaj, duke reduktuar furnizimet në hidrocentrale dhe duke tharë hapësira të mëdha toke të punueshme.

Nga ky lum mbështetet rreth një e treta e popullsisë së vendit.

E ndërsa në vende të tjera reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha e viktima, zyrtarët në Pekin kanë paralajmëruar për rrezikun në rritje të motit ekstrem në Kinë si rezultat i ndryshimeve klimatike.

Zyrtarët kanë thënë se nivelet e ujit në trungun kryesor të liqeneve Yangtze, tani janë të paktën 4.85 metra më të cekëta se normalja.

Sipas sinoptikanëve, që nga korriku reshjet në pellg kanë qenë rreth 45% më të ulëta se normalja.

Lajme të ngjashme