Tetë njerëz vdiqën nga ndërlikimet e kequshqyerjes në Gaza të mërkurën, thotë ministria
Tetë njerëz, përfshirë tre fëmijë, vdiqën gjatë 24 orëve për shkak të ndërlikimeve nga kequshqyerja në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila menaxhohet nga Hamasi.
Kështu, sipas kësaj ministrie, numri i përgjithshëm i vdekjeve nga uria dhe kequshqyerja shkoi në 225, përfshirë 106 fëmijë, që nga fillimi i luftës. Shifrat e kësaj ministrie nuk janë verifikuar, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha në një konferencë se 53 “vdekje të vërtetuara të fëmijëve nga kequshqyerja janë raportuar” që nga fillimi i këtij viti, përfshirë 39 nën moshën 5-vjeçare.
Izraeli ka marrë masa nga fundi i muajit të kaluar që ta shtojë hyrjen e ndihmave në Gaza, pasi fillimisht kishte vendosur një bllokadë 78-ditore dhe më pas kishte lejuar vetëm sasi të kufizuar të ndihmave në enklavë.
Autoritetet izraelite i kanë mohuar akuzat se e kanë përdorur urinë si armë lufte dhe kanë thënë se disa fotografi që janë shpërndarë shumë të fëmijëve që dukeshin të ushqyer keq ishin në fakt të personave që vuanin nga sëmundje të tjera.
Përderisa ka shenja se hapat e ndërmarrë po e lehtësojnë krizën gradualisht, grupet e ndihmave kishin paralajmëruar për një kohë të gjatë se ndikimi i krizës së urisë është i vështirë dhe merr kohë për t’u zhbërë pasi të ketë ndodhur.
Zëdhënësi i OKB-së tha se hyrja e ndihmave e ka përmirësuar situatën në treg në aspektin e çmimeve dhe pranisë së artikujve: çmimi i sheqerit ka rënë nga 175 në 12 dollarë për qese përgjatë dy javëve.
Sidoqoftë, mungesa e madhe e parave të gatshme po ua pamundëson familjeve që të jenë në gjendje të blejnë ushqim, ujë dhe ilaçe.
Nga sulmet izraelite është shkatërruar sistemi bankar në Gaza dhe paratë e gatshme janë të qasshme vetëm në tregun e zi, ku personat që i kërkojnë ato duhet të paguajnë 50 për qind komision./Nacionale