Tërheqje, sulme e diplomaci – përmbledhje zhvillimesh për Ukrainën - NACIONALE

Tërheqje, sulme e diplomaci – përmbledhje zhvillimesh për Ukrainën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, duket se janë rrugës për në Kiev të premten në mëngjes. Zyrtarja e lartë publikoi një fotografi ku shihej duke zbritur nga një tren ukrainas. Çfarë zhvillimesh tjera të rëndësishme pati gjatë orëve të fundit për Ukrainën?

The Guardian

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se situata në qytezën Borodyanka është shumë më e keqe se në Bucha, ku dyshimet për vrasjen e civilëve nga forcat ruse kanë shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare. Prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, tha: “Borodyanka është më së keqi në aspektin e shkatërrimit dhe në aspektin e paqartësisë për viktimat (numrin e tyre).”

Kremlini ka pranuar se ka pësuar humbje të konsiderueshme që nga fillimi i operacioneve ushtarake në Ukrainë. Në një intervistë për “Sky News”, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Kemi humbje të konsiderueshme të trupave dhe kjo është një tragjedi e madhe për ne.”

Kryetari i qytetit ukrainas, Sumy, që ndodhet në pjesën veriore të Ukrainës, ka thënë se qyteti tashmë është pa ushtarë rusë. Sidoqoftë, ai shtoi se ende mund të dëgjohen shpërthime, pasi punëtorët e shërbimit të shpëtimit po e asgjësojnë municionin e lënë nga ushtria ruse.

Bashkimi Evropian i ka miratuar embargon ndaj thëngjillit nga Rusia dhe mbylljen e porteve të vendeve të BE-së për anijet ruse për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo masë do të hyjë në fuqi nga mesi i muajit gusht.

Me shumicë votash, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për ta pezulluar Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut për shkak të raportimeve për shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzim të të drejtave të njeriut. 93 shtete votuan për, 24 kundër dhe 58 të tjera abstenuan.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit të ShBA-së tha se ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s këtë javë në Bruksel e kanë diskutuar perspektivën e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancën e fuqishme ushtarake.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, do ta presë të premten në takim në Londër Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Pritet që ata të diskutojnë për mënyrat se si vendet evropiane mund ta ulin varësinë nga gazi rus.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka thënë se trupat ruse tashmë janë tërhequr plotësisht nga pjesa veriore e Ukrainës dhe janë kthyer në Bjellorusi e Rusi. Kjo ministri shtoi se bombardimi i qyteteve në lindje dhe në jug të Ukrainës nga forcat ruse ka vazhduar dhe se ushtria ruse ka avancuar në jug nga qyteti me rëndësi strategjike, Izyum./Nacionale

Lajme të ngjashme