Tensione para samitit të BE-së, kërkesat e Hungarisë cilësohen të paarsyeshme
Udhëheqësit e vendeve të BE-së po përgatiten që të takohen në Bruksel të enjten për një samit në të cilin synohet vulosja e një marrëveshjeje për financim afatgjatë të Ukrainës.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në fund të vitit të kaluar bllokoi një pako të propozuar prej 50 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, duke i nxitur udhëheqësit e bllokut që ta caktonin takimin e 1 shkurtit, me shpresën për të arritur kompromis, raporton gazeta “The Guardian”.
Kjo pako, që është përzierje e granteve dhe huave, do t’i ofronte linjë të jetës ekonomisë ukrainase. Megjithatë, përderisa Budapesti këmbëngul që ka propozuar një kompromis, palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje. Duket se Hungaria dëshiron një marrëveshje që do t’i mundësonte asaj që ta bllokonte rrjedhjen e ndihmave për Kievin në të ardhmen.
Ndërkohë, po shtohet zemërimi ndaj udhëheqësve të Hungarisë – dhe jo vetëm për shkak të ndihmave për Ukrainën.
Budapesti po vazhdon që ta vonojë pranimin e Suedisë në NATO, pasi deputetët hungarezë janë të vetmit brenda aleancës që ende nuk e kanë ratifikuar hyrjen e këtij shteti në bllok.
Një takim mes Orbanit dhe homologut të tij suedez, Ulf Kristersson, mund të zhvillohet në margjinat e samitit të BE-së në Bruksel këtë javë.
Një diplomat i lartë evropian i tha gazetës “The Guardian” të martën në mëngjes se vendet anëtare janë të bashkuara, kur bëhet fjalë për kundërshtimin e kërkesave të Budapestit.
“Shpresoj, edhe pse, si zakonisht, ai [Orbani] do të mundohet që të nxjerrë sa më shumë koncesione që është e mundshme. Kësaj radhe, megjithatë, shpresoj se ka pak për të që të fitojë – vendet anëtare janë goxha të bashkuara kundër katër kërkesave të paarsyeshme të Hungarisë dhe, në të njëjtën kohë, ka porosi që po kalohen për pasoja të mundshme për sjelljen e vazhduar penguese të Hungarisë”- tha ai.
Një zyrtar i lartë evropian tha se samiti mund të zhvillohet në disa drejtime. “Vështirë të thuhet, mendoj se të gjitha opsionet janë të hapura”- tha ai.
Qeverive të vendeve evropiane po u harxhohet durimi me Hungarinë para samitit të kësaj jave. Një zyrtar i lartë evropian tha se vendet anëtare po dëgjojnë gjëra të tjera nga negociatori hungarez, Hanos Boka, në krahasim me atë që po e thotë publikisht kryeministri Orban dhe ekziston besimi se ai po mundohet që t’i mbajë letrat të hapura para bisedimeve në Bruksel.
“Kësaj radhe, durimi vërtet po harxhohet rreth Hungarisë”- shtoi zyrtari evropian. Sipas tij, evropianët besojnë se Orbani është i interesuar që të mundohet për të siguruar më shumë zhbllokim të fondeve të ngrira të BE-së për vendin e tij, por se kjo do të ishte “vrasje” politike për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila pritet të synojë mandat të ri.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli