Të paktën katër të vdekur nga ortekët në pjesën veriore të Norvegjisë
Policia norvegjeze ka thënë se katër persona kanë vdekur nga një varg ortekësh në pjesën e skajshme veriore të vendit.
Në incidentin më vdekjeprurës, një shtëpi dhe një ahur rrëshqitën në det, afër ishullit Reinoya, raporton televizioni BBC.
Dy persona u konfirmuan të vdekur dhe 140 dhi ndodheshin në ahur në kohën e rrëshqitjes në det, sipas autoriteteve.
Dy turistë vdiqën nga dy ortekë të tjerë. Besohet se të dy turistët ishin të huaj, edhe pse shtetësia e tyre nuk dihet ende.
Nga orteku i parë, në Lyngen, një person vdiq dhe dy të tjerë u lënduan.
“Ishin pesë njerëz me prejardhje të huaj, të cilët ishin për shëtitje në zonë. Mund të konfirmojmë se një person është i vdekur”- u tha gazetarëve zëdhënësi i policisë, Morten Pettersen.
Ai shtoi se dy persona të tjerë u lënduan, njëri është në gjendje kritike, ndërsa tjetri ka lëndime mesatare.
Më vonë në mbrëmje, policia tha se një person i katërt është mbytur nga një ortek tjetër në Storslett, në zonën Nordreisa.
“Personi ishte pjesë e një grupi më të madh të udhëtarëve të huaj. Një anëtar tjetër i grupit të udhëtarëve, i cili ishte në vendin e ngjarjes, e përcaktoi vendndodhjen e personit dhe i njoftoi shërbimet urgjente”- thuhet në deklaratën e policisë.
Kryeministri i vendit, Jonas Gahr Store, e përshkroi vdekjen e këtyre personave si fillim tragjik i Pashkëve.
Në këtë periudhë të vitit, ortekët ndodhin pothuajse përditë në Norvegji. Rreth 7 për qind e territorit të shtetit është në rrezik nga ortekët, sipas ekspertëve.
Të premten, banorët në disa qyteza të rajonit Troms u evakuuan për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët dhe autoritetet paralajmëruan për stuhi bore e erë të fuqishme.

