Të paktën 18 të vdekur e miliona të ngujuar nga vërshimet masive në Indi e Bangladesh
Së paku 18 persona kanë vdekur nga vërshimet në pjesën lindore të Indisë dhe në Bangladesh. Autoritetet thanë se miliona shtëpi janë vërshuar nga uji.
Në rajonin Assam të Indisë, të paktën nëntë persona kanë vdekur nga vërshimet dhe dy milionë të tjerëve u ka hyrë uji në shtëpi, sipas agjencisë shtetërore për menaxhimin e fatkeqësive.
Ndërkohë në Bangladesh, rrufeja mbyti nëntë persona të premten, shkruan "The Guardian", transmeton "Nacionale".
Të dyja shtetet kanë kërkuar ndihmë nga ushtritë e tyre për t’u ballafaquar me vërshimet, të cilat mund të përkeqësohen, sepse reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës.
Njëri nga lumenjtë më të mëdhenj në Azi, Brahmaputra, doli nga shtrati dhe vërshoi 3.000 fshatra e zona bujqësore në 28 distrikte të rajonit Assam.
Disa linja treni janë anuluar në Indi për shkak të reshjeve të dendura në pesë ditët e fundit. Ushtrisë indiane i është kërkuar ndihmë për agjencitë e shpëtimit që të ndihmohen njerëzit e ngujuar dhe t’u ofrohet ushqim e gjësende tjera elementare atyre që u janë vërshuar shtëpitë.
Në Bangladesh, më së shumti nga vërshimet janë prekur distriktet afër kufirit me Indinë. Qendra për paralajmërimin dhe parashikimin e vërshimeve në kryeqytetin Daka tha se niveli i ujit në të gjithë lumenjtë kryesorë të vendit është duke u rritur.
Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar “Osmani” janë pezulluar për tri ditë, sepse uji gati ka arritur në pistën e tij, sipas menaxherit të këtij aeroporti, Hafiz Ahmed.
Bangladeshi, shtet me rreth 160 milionë banorë, ka lartësi të vogël bregdetare dhe ballafaqohet me rreziqet që vijnë nga fatkeqësitë natyrore të lidhura me ndryshimin e klimës si vërshimet dhe ciklonet.