Të pakënaqur me buxhetin, punëtorët e sektorit publik në Itali mbajnë grevë - NACIONALE

Të pakënaqur me buxhetin, punëtorët e sektorit publik në Itali mbajnë grevë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Italia u ballafaqua me pengesa të premten, përderisa punëtorët e transportit dhe të sektorëve të tjerë publikë nga dy sindikatat më të mëdha të vendit hynë në grevë në shenjë proteste për buxhetin e vitit 2024.

Sindikatat CGIL dhe UIL kanë shpallur grevë të përgjithshme në rajonet qendrore të Italisë si dhe dalje nga vendi i punës nga të gjithë punëtorët e sektorit publik në mbarë vendin. Ata po planifikojnë protesta të tjera rajonale gjatë dy javëve të ardhshme, raporton agjencia “Reuters”.

Si shenjë e tensioneve mes sindikatave dhe autoriteteve, zëvendëskryeministri Matteo Salvini i shfrytëzoi kompetencat e tij për ta përgjysmuar kohëzgjatjen e grevës së punëtorëve të transportit në vetëm katër orë, nga ora 9 deri në orën 13, për ta kufizuar ndikimin tek udhëtarët. Udhëtimet ajrore nuk janë të përfshira në planet për greva.

“Ky hap i rëndë nga Salvini është sulm ndaj së drejtës për të mbajtur grevë, që është i pashembullt në demokracinë italiane”- tha kryetari i sindikatës CGIL, Maurizio Landini.

Salvini, që gjithashtu e mban pozitën e ministrit të Transportit, tha se po sigurohej që italianët prapë të mund t’i kryenin punët e tyre të premten.

“Po, është e drejta për grevë, por është kënaqësi që të mbrohet e drejta për punë për shumicën dërrmuese të italianëve. Është puna ime”- tha ai në televizionin “Rai”.

Punëtorët grevistë pritet që të mbajnë një tubim në Sheshin e Popullit në Romë për të protestuar kundër qeverisë djathtiste të kryeministres Giorgia Meloni.

Udhëheqësit e sindikatave thonë se qeveria nuk është duke bërë mjaftueshëm për t’ua parandaluar punëtorëve rënien në pozitë më të pafavorshme në kohën kur çmimet janë ende duke u rritur.

Muajin e kaluar, Qeveria e Italisë e miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm me masa që e kanë vlerën e rreth 24 miliardë eurove e që përfshijnë ulje taksash e rritje shpenzimesh pavarësisht nga shqetësimet e tregut për financat e tendosura publike të vendit.

Lajme të ngjashme