Tarifat e Trumpit hyjnë në fuqi: Këto janë zhvillimet e fundit që duhet t’i dini
Tarifat gjithëpërfshirëse të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump edhe zyrtarisht kanë hyrë në fuqi.
“CNN” raporton se pavarësisht tregjeve financiare të trazuara, “kërcënimeve” për hakmarrje dhe disa prej mbështetësve më të mëdhenj të Donald Trump që e inkurajuan të tërhiqet nga kjo politikë, presidenti nuk u dorëzua, transmeton Nacionale.
Këto janë informacionet që duhet t’i dini:
- Kina është goditur më së shumti: Importet e Kinës për në ShBA tani janë subekt i një tarife së paku prej 104 për qind. Trump vendosi tarifa edhe më të larta se sa ishte njoftuar fillimisht pasi Pekini nuk e tërhoqi premtimin e tij për të vendosur tarifa hakmarrëse prej 34 për qind. Trump gjithashtu nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke trefishuar tarifat për mallrat me vlerë më pak se 800 dollarë nga Kina. Kjo do të ndikojë tek amerikanët që porosisin nga faqe si Shein, Temu dhe AliExpress.
- Kina nuk tërhiqet: Deri më tani Kina nuk ka njoftuar masa të menjëhershme hakmarrëse kundër raundit të fundit të tarifave të Trump. Por mesazhi nga qeveria kineze, media shtetërore dhe udhëheqësit e opinionit tregon se ka vendosmëri për t'u kundërpërgjigjur.
- Kundërtarifat: Tarifat hakmarrëse të Kanadës në disa prej automjeteve amerikane hynë në fuqi gjatë mesnatës. Tarifa prej 25 për qind zbatohet për automjetet që nuk mbulohen nga marrëveshja e Tregtisë së Lirë SHBA-Meksikë-Kanada.
- Marrëveshje “të përshtatura”: Trump tha se disa shtete e kanë thirrur atë dhe “po i puthin b*****" për të bërë një marrëveshje tregtare. Delegacione nga Japonia dhe Koreja e Jugut janë rrugës. Kryeministri i Italisë do të jetë në Uashington javën e ardhshme. Dhe Bashkimi Evropian i tha SHBA-së se është i përgatitur të negociojë për më shumë blerje të gazit natyror.
- Rënie globale e aksioneve: Aksionet aziatike dhe evropiane janë tregtuar më ulët dhe kontratat e së ardhmes në ShBA ranë pas goditjes nga tarifat. Me disa trilionë dollarë në vlerën e tregut të aksioneve amerikane që “u fshinë” në javën kur Trump shpalli tarifat, parashikimet për një recesion të plotë global janë rritur.
- Mosmarrëveshjet në orbitën e Trump: Një mosmarrëveshje është përshkallëzuar midis Elon Musk dhe këshilltarit të lartë të tregtisë, Peter Navarro mbi tarifat. Musk e quajti Navarron "budalla" pasi ai e shkarkoi themeluesin e Tesla-s si "montues makinash". Shtëpia e Bardhë tha se do të lejojë që "loja publike të vazhdojë", me zëdhënësen Karoline Leavitt e cila u shpreh se "djemtë do të mbesin djem".
- Çmimi i iPhone mund të trefishohet: Një analist i teknologjisë ka paralajmëruar se çmimi i iPhone të Apple mund të rritet në rreth 3 mijë e 500 dollarë, nëse ata prodhohen në ShBA.