Talebanët u ndalojnë grave edhe hyrjen në parqet e Kabulit - NACIONALE

Talebanët u ndalojnë grave edhe hyrjen në parqet e Kabulit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në një përjashtim të radhës nga jeta publike në Afganistan, talebanët kanë vendosur t’ua ndalojnë grave edhe vizitat në të gjitha parqet e Kabulit.

Vendimi i ri është njoftuar nga ministria e Virtyit dhe Parandalimit të Veseve, ndërsa është pretenduar se ka ardhur për shkak se në parqe "nuk po ndiqen ligjet islame".

Kujtojmë se, që kur militantët islamikë morën pushtetin në muajin gusht 2021, të drejtat dhe liritë e grave në vend janë kufizuar rëndë.

Sipas rregullave të talebanëve për ndarjen e njerëzve sipas gjinisë, më parë gratë ishin të lejuara të vizitojnë parqet tre ditë të javës, ndërsa katër ditë të tjera ishin për burrat. Por tani, gratë nuk do të lejohen të hyjnë edhe nëse shoqërohen nga të afërm meshkuj.

"Ne e kemi bërë këtë sepse në 15 muajt e fundit, pavarësisht përpjekjeve tona, njerëzit kanë shkuar në park dhe nuk respektojnë ligjet e Sheriatit," ka thënë për BBC-në Mohammed Akif, zëdhënës i ministrisë së Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimit të Veseve.

“Kufizimi është për të gjitha gratë, qofshin ato me apo pa mahrem (shoqërues mashkull)”, ka shtuar më tej ai.

Ndalimi për gratë shtrihet edhe në parqet argëtuese që zakonisht vizitohen bashkë me fëmijët e tyre. E ndërsa bëhet e ditur se për momentin ky ligj i ri është në fuqi vetëm në kryeqytet, ai pritet të zbatohet edhe në vendet e tjera.

Nën talebanët, gratë në Afganistan u janë nënshtruar një sërë kufizimesh të lirive të tyre. Atyre u ndalohet të shkojnë në udhëtime në distanca të gjata pa një shoqërues mashkull, ndërsa pavarësisht premtimeve për shkollim, në pjesën më të madhe të vendit vajzat adoleshente ende nuk janë kthyer në shkollë.

Megjithatë, diplomatët perëndimorë u kanë treguar talebanëve se rifillimi i financimit të zhvillimit për një vend në krizë të thellë ekonomike varet kryesisht nga përmirësimi i trajtimit të grave.

Lajme të ngjashme