Talebanët ndalojnë përdorimin e kontraceptivëve, planifikimin familjar e cilësojnë "komplot perëndimor" - NACIONALE

Talebanët ndalojnë përdorimin e kontraceptivëve, planifikimin familjar e cilësojnë "komplot perëndimor"

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Luftëtarët talebanë kanë ndaluar shitjen e kontraceptivëve në dy nga qytetet kryesore të Afganistanit, duke pretenduar se përdorimi i tyre nga gratë është një komplot perëndimor për të kontrolluar popullsinë myslimane.

Sipas The Guardian, talebanët kanë shkuar derë më derë, duke kërcënuar mamitë dhe duke urdhëruar farmacitë që të pastrojnë raftet e tyre nga të gjitha ilaçet dhe pajisjet për kontrollin e lindjes.

“Ata erdhën në dyqanin tim dy herë me armë dhe më kërcënuan që të mos i mbaja për shitje pilulat kontraceptive. Ata po kontrollojnë rregullisht çdo farmaci në Kabul dhe ne kemi ndaluar shitjen e produkteve,”- ka treguar një pronar farmacie në qytet.

Edhe farmacistët e tjerë në Kabul dhe Mazar-i-Sharif, kanë konfirmuar se ata janë urdhëruar të mos ruajnë asnjë ilaç për kontrollin e lindjes.

Ndalimi i pilulave është sulmi i fundit ndaj të drejtave të grave nga talebanët, të cilët, që nga ardhja në pushtet në gusht 2021, kanë ndaluar arsimin e lartë për vajzat, kanë mbyllur universitetet për gratë e reja, kanë detyruar gratë të largohen nga puna dhe kanë kufizuar daljet e tyre nga shtëpitë.

Kufizimi i kontraceptivëve do të jetë një goditje e rëndësishme në një vend me një sistem tashmë të brishtë të kujdesit shëndetësor.

Dihet se një në çdo 14 gra afgane vdes për shkaqe që lidhen me shtatzëninë dhe është një nga vendet më të rrezikshme në botë për të lindur.

Lidhur me këtë çështje ministria e Shëndetësisë Publike e Talibanëve në Kabul, ende nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë zyrtare, por është mësuar se luftëtarët talebanë që patrullojnë në rrugë në Kabul u kanë thënë burimeve se "përdorimi i kontraceptivëve dhe planifikimi familjar është një agjendë perëndimore".

Lajme të ngjashme