Taksat e Trumpit japin efekt: Deficiti tregtar i ShBA-së bie për 23,8 për qind - NACIONALE

Taksat e Trumpit japin efekt: Deficiti tregtar i ShBA-së bie për 23,8 për qind

10 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Deficiti tregtar i Shteteve të Bashkuara u tkurr më shumë sesa pritej në gusht, pasi bizneset importuan më pak mallra shkaku i taksave më të larta të vendosura nga presidenti Donald Trump.

Sidoqoftë, rënia e importit të mallrave të konsumit në nivelet që për herë të fundit ishin parë në fillimin e pandemisë së koronavirusit dhe një rënie e importit të mallrave kapitale, përfshirë aksesorët për kompjuterë dhe pajisjet e telekomunikimit, të raportuara të mërkurën nga Departamenti i Tregtisë, mund të sinjalizojnë shpenzime më të vogla të konsumit dhe bizneseve çerekun e kaluar të vitit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti Trump u ka vendosur taksa të gjera partnerëve tregtarë të vendit, duke i akuzuar se i kanë shfrytëzuar Shtetet e Bashkuara. Gjykata Supreme e ShBA-së më herët këtë muaj dëgjoi argumente rreth ligjshmërisë së vendosjes së taksave nga Trumpi. Gjykatësit kanë ngritur dyshime për autoritetin e tij që të vendosë taksa sipas Aktit për Kompetenca Ekonomike Urgjente Ndërkombëtare.

“Lajmi i mirë për tregtinë dhe ekonominë e ShBA-së është që taksat po funksionojnë” – tha Christopher Rupkey, kryeekonomist në FWDBONDS. “Lajmi i keq për tregtinë dhe ekonominë e ShBA-së është që taksat po funksionojnë. Tregjet dhe zyrtarët e Rezervës Federale do të mundohen që të marrin vesh se cila është e vërtetë, por ndoshta janë të dyja” – shtoi ai.

Deficiti tregtar u tkurr për 23,8 për qind dhe ra në 59,6 miliardë dollarë, thanë të mërkurën Byroja e Analizave Ekonomike e Departamentit të Tregtisë dhe Byroja Census. Ekonomistët e anketuar nga agjencia “Reuters” kishin parashikuar se deficiti tregtar do të binte në 61,0 miliardë dollarë.

Importet shënuan rënie për 5,1 për qind dhe ranë në 340,4 miliardë dollarë. Importet e mallrave u tkurrën për 6,6 për qind dhe ranë në 264,6 miliardë dollarë. Kjo rënie u udhëhoq nga tkurrja prej 11,3 miliardë dollarësh në importet e dërgesave dhe materialeve industriale.

Eksportet u rritën për 0,1 për qind dhe shkuan në 280,8 miliardë dollarë. Eksportet e mallrave ranë për 0,3 për qind, në 179,0 miliardë dollarë./Nacionale

Lajme të ngjashme