“Super e Marta”: Haley fiton befasisht në Vermont, por mbizotërojnë Bideni dhe Trumpi - NACIONALE

“Super e Marta”: Haley fiton befasisht në Vermont, por mbizotërojnë Bideni dhe Trumpi

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump marshuan drejt fitoreve të lehta brenda partive të tyre në atë që njihet si “Super e Marta”.

Sipas rezultateve të hershme, dy favoritët për ta fituar nominimin e partive të tyre për zgjedhjet presidenciale të nëntorit shënuan fitore në Kaliforni, Virgjinia, Karolinë të Veriut, Maine, Massachusetts, Oklahoma, Tennessee, Teksas, Arkansas, Alabama, Kolorando dhe Minnesota, raporton gazeta “The Guardian”.

Bideni e fitoi garën brenda Partisë Demokratike edhe në Iowa dhe Vermont, por humbi në Samoan Amerikane, ndërsa zonja Nikki Haley e fitoi garën brenda Partisë Republikane në Vermont. Kjo qe fitorja e dytë e saj në vitin 2024.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë periudhë fushate të zgjedhjeve brenda partive me kaq pak tension konkurrence që nga fillimi i mbizotërimit të këtyre garave në procesin e nominimit në vitet e shtatëdhjeta. As presidenti i tanishëm, as ish-presidenti nuk e siguruan nominimin nga partitë e tyre, por të dy kanë gjasa që ta arrijnë këtë brenda dy javëve të ardhshme.

Edhe Bideni, edhe Trumpi e “goditën” njëri-tjetrin përmes deklaratave e fjalimeve të martën në mbrëmje.

“Rezultatet e sontme e lënë popullin amerikan me një zgjedhje të qartë: a do të vazhdojmë që të ecim përpara apo do ta lejojmë Donald Trumpin që të na tërheqë neve prapa në kaosin, përçarjen dhe errësirën që e përcaktuan mandatin e tij në pushtet?” – tha presidenti Biden.

Në anën tjetër, në një fjalim të fitores në Mar-a-Lago, Trumpi i çmpo fitoret e veta, duke deklaruar se “kurrë nuk ka pasur diçka si kjo” dhe përsëri i sulmoi me fjalë emigrantët, duke pretenduar në mënyrë të rreme se qytetet amerikane “po vërshohen nga krimi i emigrantëve”. Ish-presidenti shpesh është tallur me emigrantët dhe ka bërë komente të pabaza e raciste.

Për ta siguruar nominimin e Partisë Demokratike, Bidenit i nevojiten 1.968 delegatë. Para “Super të Martës”, ai kishte 206 delegatë. Pas fitoreve, ai siguroi edhe 1.420 të tjerë.

Trumpi kishte 273 delegatë para garave të së martës, ndërsa i nevojiten 1.215 të tillë për ta siguruar nominimin e Partisë Republikane. Të martën, ai siguroi edhe 865 delegatë, por fushata e vazhdueshme e zonjës Nikki Haley ia ka pamundësuar atij sigurimin e të gjithë delegatëve. Pas rezultateve të së martës, Trumpi mund ta sigurojë nominimin më së shpejti më 19 mars, nëse fiton në Arizona, Florida, Illinois, Kansas dhe Ohio.

Lajme të ngjashme